Murati: Zhvillimet në Kuvend po e vështirësojnë arritjen e konsensusit
Menaxheri i projektit të Institutit Demokratik të Kosovës (KDI) për monitorimin e Kuvendit të Kosovës, Artan Murati, ka vlerësuar se në këtë institucion po bëhet lojë puro politike.
Ai ka thënë se partitë politike kanë qasje diametralisht të kundërta sa i përket përfaqësimit të shtetit në dialogun e Brukselit.
Në këtë intervistë dhënë për gazetën “Epoka e re”, Murati ka thënë se zhvillimet e fundit në Kuvend po e vështirësojnë arritjen e konsensusit.
Ai ka theksuar se pas mosmiratimit të rezolutës opozita mund t’i bojkotojë seancat dhe, sipas Muratit, ky është një lajm i keq për Kuvendin dhe jetën legjislative.
Ai u ka bërë thirrje subjekteve politike që të fokusohen në pikat e përbashkëta dhe në bazë të tyre të nxjerrin një rezolutë të re të Kuvendit për dialogun me Serbinë
“Epoka e re”: Z. Murati, as të enjten Kuvendi i Kosovës nuk ka arritur ta miratojë rezolutën për dialogun të propozuar nga partitë opozitare.
Murati: Është lojë puro politike që po bëhet në Kuvendin e Kosovës. Po shohim se partitë politike kanë qasje diametralisht të kundërta sa i përket përfaqësimit të shtetit në dialogun e Brukselit. Si mollë sherri doli të jetë prapë çështja se kush duhet ta përfaqësojë Kosovën në këtë proces. Subjektet opozitare, sidomos LDK-ja dhe Vetëvendosja, kërkojnë që me rezolutë ta kufizojnë mandatin e presidentit Thaçi në dialog, por kjo është e papranueshme për PDK-në dhe partnerët e tjerë të koalicionit qeverisës. Si pasojë e kësaj kemi një Kuvend i cili po dështon tash e sa kohë që të miratojë një rezolutë me anë të së cilës do ta paraqiste pozicionin e vet karshi procesit të dialogut.
“Epoka e re”: Duke i pasur parasysh këto qëndrime të kundërta në mes të pozitës dhe opozitës, në ditët në vazhdim mund të thirret sërish një seancë për çështjen e kësaj rezolute?
Murati: Do të ketë tentativa për mbajtjen e ndonjë seance të re ku do të flitej për çështjen e dialogut, mirëpo është krijuar një klimë tjetër politike meqë subjektet politike opozitare mosmiratimin e rezolutës do ta shohin si një përpjekje të tyre të dështuar për të bërë diçka më tepër në Kuvend dhe një minim tjetër të punës së opozitës prej koalicionit qeverisës. Pra, do të jetë e vështirë që të binden dhe t’u kthehen diskutimeve. Prandaj çdoherë e më tepër po vështirësohet arritja e konsensusit duke i pasur parasysh veprimet që po ndodhin në Kuvendin e Kosovës.
“Epoka e re”: Gjatë kësaj seance dëgjuam deputetë të koalicionit të cilët në një farë mënyre e akuzonin opozitën e cila, sipas tyre, nuk është e interesuar për aprovimin e rezolutës.
Murati: Atë që po kërkojnë deputetët e koalicionit qeverisës, pra që të përfshihet gjithçka brenda një rezolute, është një qasje ambicioze duke pasur parasysh klimën politike ekzistuese. Për këtë qeveria do të ishte dashur që ta miratonte një platformë qeverisëse për dialogun, gjë që ka tentuar ta bëjë më herët, por e ka tërhequr për shkak se ka qenë e dobët platforma. Mirëpo të enjten grupet parlamentare është dashur t’i gjejnë pikat e përbashkëta sepse ka pika të përbashkëta ku pajtohen të gjithë dhe të shkonin me një rezolutë të përbashkët për çështje për të cilat pajtohen, duke u hapur mundësi negociatave të mëtutjeshme për t’u pajtuar për çështjet që kanë dallime. Përderisa ka pozicione rigjide për të gjitha subjektet politike do të jetë e vështirë arritja e konsensusit, sepse pikërisht me konsensus të gjitha palët duhet të lëshojnë pe nga pak, në mënyrë që të gjendet një e përbashkët e cila mund ta çojë vendin përpara dhe ta tejkalojë këtë krizë politike.
“Epoka e re”: Ju si monitorues të punës së Kuvendit, shihni shkëndija për arritjen e këtij konsensusi?Murati: Aktualisht do të jetë problem arritja e konsensusit, sidomos pas ngjarjeve që kanë ndodhur në seancën e së enjtes. Kemi qasje të ndryshme, opozita kërkon zgjedhje, por subjektet në pushtet dëshirojnë t’ia zgjasin jetën kësaj legjislature. Si duket koncentrimi i madh për zgjedhje po ndikon që subjektet politike të mos mund të bashkëpunojnë dhe të mos e japin më të mirën e tyre, madje as opozita nuk është e bashkuar në këtë drejtim.
“Epoka e re”: Pas dështimit të rezolutës, mund ta bojkotojë opozita Kuvendin?
Murati: Se do të ketë bojkot të seancave të Kuvendit u pa qysh kur rezoluta nuk i mori votat e mjaftueshme. LDK-ja dhe Vetëvendosja lëshuan sallën ndonëse ishte thirrur vazhdimi i seancës me pika nga seancat paraprake. Me siguri se do të ketë bojkot të mëtutjeshëm dhe ky është një lajm i keq për Kuvendin dhe jetën legjislative.
“Epoka e re”: Pas këtyre zhvillimeve, si e shihni funksionimin e Kuvendit?
Murati: Kuvendi është kaotik, nuk ka funksionim të rregullt të punës, madje edhe kryesia po ndikon shumë në këtë kaos meqë nuk ka pasur mbledhje të rregullta duke lejuar që të grumbullohen shumë pika të rendit të ditës. Për të funksionuar Kuvendi në të ardhmen si duhet, koalicioni qeverisës duhet ta garantojë shumicën parlamentare. Koalicioni qeverisës duhet t’i sigurojë numrat për të vazhduar më tutje meqë nuk mund të pritet prej opozitës që të bëjë kuorumin sepse nuk e ka obligim, ndonëse pjesëmarrja e deputetëve në punimet e Kuvendit është obliguese. Në aspektin politik opozita ka të drejtë mos të marrë pjesë në seanca, mirëpo kjo nuk duhet të përkthehet në dështim të seancave. Shumica parlamentare duhet të ekzistojë dhe të vazhdojë agjenda e paraparë. Në të kaluarën, pavarësisht prek pjesëmarrjes së opozitës, sidomos të PSD-së, kanë dështuar seancat në mungesë të kuorumit, që del se nuk ka vullnet dhe koncentrim të mjaftueshëm as të koalicionit qeverisës në punën e Kuvendit. Koalicioni përbëhet edhe prej Listës Serbe, por nuk mund të llogaritet se votat e saj do të jenë të rregullta dhe se Kuvendi do të funksionojë normalisht.
“Epoka e re”: Ky mosfunksionim i Kuvendi është duke u paraprirë zgjedhjeve të reja?
Murati: Tendencat për zgjedhje janë evidente, sidomos prej subjekteve në opozitë. Deri më tani nuk ka asnjë veprim konkret që mund ta çonte vendin në zgjedhje. Opozita nuk i ka numrat e mjaftueshëm për ta rrëzuar Qeverinë dhe, si duket, brenda koalicionit qeverisës nuk ka disponim për ta prishur koalicionin, sepse nga e kaluara kemi parë se çdoherë ka qenë një subjekt i koalicionit që ka përkrahur mocionet e mosbesimit ndaj Qeverisë. Ndonëse ka narrativ të vazhdueshëm për zgjedhje në praktikë, nuk ka ndonjë veprim konkret. Ka qenë vetëm PSD-ja që publikisht ka ofruar nënshkrimet për rrëzimin e Qeverisë.
“Epoka e re”: Më 9 nëntor është paralajmëruar takimi i radhës në kuadër të dialogut të Brukselit. Si e shihni vazhdimin e këtij procesi pa miratimin e rezolutës?
Murati: Ka rrezik permanent që dialogu të vazhdojë me këta aktorët e moçëm, pastaj të arrihet një marrëveshje pa një pozicion të Kuvendit dhe në fund ajo marrëveshje të tentohet të ratifikohet. Por, pa opozitën nuk ka shans të bëhet ratifikimi i asnjë lloj marrëveshje dhe kësisoj mund të përsëritet skenari i marrëveshjes së demarkacionit, ku Kosova humbi disa vjet dhe tani po shihet se çfarë ka ndodhur me procesin e liberalizimit. Kjo do të ishte shumë negative sepse nëse arrihet një marrëveshje e cila do të ratifikohej në Serbi e jo në Kosovë, BE-ja assesi nuk do ta presë Kosovën për shkak të problemeve të brendshme politike dhe nuk do ta pengonte Serbinë në rrugën e saj drejt BE-së. Humbësit më të mëdhenj do të jemi ne dhe për këtë arsye është e rëndësishme që të ketë një pozicionim të qartë të subjekteve politike në mënyrë që kur të arrihet marrëveshja, t’i përmbajë të gjitha elementet e kërkuara prej shumicës politike dhe të garantohet ratifikimi i saj.
“Epoka e re”: Cilat janë rekomandimet e KDI-së për daljen nga kjo situatë?
Murati: Në vazhdimësi KDI-ja bën thirrje për konsensus në mes të subjekteve politike, ofron rekomandime të ndryshme, si dhe shpeshherë ofron platforma për diskutim në mes të subjekteve politike. U bëjmë thirrje subjekteve politike që të fokusohen në pikat e përbashkëta dhe në bazë të tyre të nxjerrin një rezolutë të re të Kuvendit për dialogun. Bëjmë thirrje që dialogu t’i kthehet Kuvendit dhe Kuvendi të ketë rol qendror në këtë proces. Duhet të sigurohet transparenca dhe llogaridhënia e procesit në mënyrë që deputetët të dinë se çfarë po ndodh në Bruksel dhe të dinë se për çfarë marrëveshje eventuale do të votojnë.
Shqipe HETEMI