Muriqi: Duhet ta nisim me fitore
Sulmuesi i kombëtares së Kosovës, Vedat Muriqi, ka folur përpara ndeshjes hapëse nesër të Ligës së Kombeve kundër Rumanisë, që do të luhet nga ora 20:45 në “Fadil Vokrri”.
Muriqi tha se ndeshja e nesërme është shumë e rëndësishme për Kosovën, pasi tha se “Dardanët”, bashkë me Rumaninë janë favoritë për ta zënë vendin e parë.
“Nëse e nisim me fitore, do ta kemi një përparësi të madhe. E vlerësojmë shumë si kundërshtar pasi herën e kaluar, personalisht nuk e kam parë Rumaninë shumë përpara, por janë kualifikuar në Euro, gjë që është e rëndësishme për një ekip. Kemi respekt, kanë lojtarë të rëndësishëm, do të mundohen të na nxjerrin probleme, por jemi të përgatitur maksimalisht. Me gjithë respektin për Rumaninë, nesër do të luftojmë për t’i çuar në shtëpi pa pikë”, tha Muriqi.
Ai foli edhe për përbërjen e ekipit të kombëtares, për të cilin tha se është shumë i mirë dhe se sipas tij, nuk do të jetë problem nëse ai vetë do të luajë nga fillimi apo jo.
“E kemi ekipin shumë të mirë në sulm, s’do të jetë problem nëse nesër do të luaj apo jo dhe jam shumë i lumtur për lojtarët e rinj që po rriten dhe po zhvillohen me neve bashkë. Kemi shumë vite që po luajmë bashkë me Edonin e Milotin. Për momentin jemi në top formë dhe kemi një potencial jashtëzakonisht të mirë dhe jemi përgatitur shumë mirë për nesër. Shpresojmë në fitore, ne do ta japim maksimumin nesër”.
“Unë kam luajtur me dy sulmues edhe në ekipet e mija, nëse trajneri vendos, as unë as Albioni e as Fisnku nuk besoj se do të kemi probleme”.