Muriqi: Gjyqtarët nuk po më besojnë, por kur rrëzohem unë atëherë vërtet ka ndodhur diçka
Ylli i Mallorcas, Vedat Muriqi ka deklaruar se gjyqtarët në kampionatin spanjoll nuk po i besojnë kur po rrëzohet dhe kjo gjë nuk është duke i pëlqyer. Kosovari po shkëlqen në La Liga, duke qenë ndër golashënuesit më të mirë në kampionat, e patjetër ka rol kyç në suksesin e skuadrës spanjolle këtë edicion.
Në një intervistë së fundmi për faqen zyrtare të Mallorcas, Muriqi ka treguar se gjyqtarët nuk po i besojnë dhe ai nuk është prej atyre që simulon pas çdo kontakti.
“Kam një lidhje të shkëlqyer me të gjithë gjyqtarët. Nuk jam lojtar që iu bërtet atyre sepse gjyqtarët nuk duan të bëjnë gabime, por janë njerëz. Jam lodhur nga problemi i ndërhyrjeve pasi ata nuk më besojnë. Kur bie në tokë nuk më besojnë, nuk e ndalojnë si ndërhyrje. Nuk jam prej atyre që rrëzohem në tokë sa herë që kam kontakt me kundërshtarë. Nëse e sheh Vedat Muriqin në tokë, diçka vërtetë ndodhi”.
Tutje, “pirati” tregoi se i pëlqen shumë presioni derisa nuk i interesojnë golat, përderisa Mallorca arrin fitore.
“Më pëlqen vërtetë presioni. Presion të shtynë të bësh gjërat e duhura. Pa presion, ti del në fushë pa dëshirë. E di që bashkëlojtarët e mi kanë nevojë që të shënoj gola, por nuk jam i shqetësuar aspak nëse skuadra fiton dhe unë nuk shënoj, nuk më intereson. Nuk dua të shënoj, dua vetëm që Mallorca të fitojë, por nëse shënoj dhe fitojmë, gëzimi është dyfish. Golat sigurisht do të vijnë”.
Në fund, ai tregoi se është optimist i madh që golat e tjera do të vijnë duke shtuar se është me fat që ka një trajner dhe bashkëlojtarë të tillë.
“Para pushimit kisha 8 gola në 14 ndeshje. Për një sulmues të Mallorcas duke shënuar tetë gola në 14 ndeshja është shumë mirë. Sigurisht, pas kësaj të gjithë presin më shumë. Jam sulmues dhe dua të shënoj gola, por jam më fat që kam trajner dhe bashkëlojtarë që e dinë se do ta ndihmoj skuadrën në disa mënyra tjera”.