Muriqi ka filluar ta tregojë potencialin e vërtetë
Kur Lazio transferoi Vedat Muriqin nga Fenerbahçe për 17.5 milionë euro u bë bujë e madhe në të gjitha mediat italiane dhe jo vetëm. Drejtori sportiv, Igli Tare, ishte duke e monitoruar lojtarin për një kohë të gjatë, teksa transferimi u zyrtarizua në vitin e kaluar.
Muriqi kaloi te Lazio, pasi kaloi një sezon të jashtëzakonshëm me Fenerbahçen, duke shënuar 19 gola në të gjitha garat. Megjithatë, sulmuesi shtatlartë nuk e filloi mbarë aventurën në Itali pasi u përballë me lëndime e koronavirus, duke mos qenë kështu zgjedhja e parë e Simeone Inzaghit. Por, viti 2021 ka nisur shumë më mirë për ish-sulmuesin e Lirisë së Prizrenit, të cilit ia kanë kushtuar një artikull edhe ‘thelaziali.com’.
Në këtë artikull është cekur paraqitja e mirë e Muriqit në derbin ndaj Romës, ndaj Parmës në Kupën e Italisë ku dhuroi një asistim, për të vazhduar pastaj me paraqitjen e mirë ndaj Sassuolos në Serinë A dhe paraqitjes ndaj Atalantas në Kupë, ku prizrenasi shënoi edhe gol. Pavarësisht se ishte një fillim jo i mirë, ‘thelaziali.com’ ka shkruar se Vedat Muriqi tani po tregon potencialin e tij të vërtetë. E gjitha se çfarë duhet tani, sipas tyre, është besimi te lojtari.