Muriqi mban primatin për ‘offside’ në ligat më të forta evropiane

04 janar 2024 | 14:00

Vedat Muriqi që një kohë ka përfunduar jashtë fushave të blerta shkaku i lëndimit dhe nuk do të jetë i gatshëm të rikthehet as në muajin janar.

Mirëpo, sulmuesi i Kosovës për aq sa ka luajtur në këtë sezon, ka lënë gjurmë me Mallorcën.

Jo pse ka shënuar shumë gola, por për faktin se e mban një primat, madje në krejt ligat më të forta të futbollit evropian.

Në fakt, “Goal.com” ka raportuar se prizrenasi është lojtari që është zënë më së shumti në pozitë jashtë loje.

Ndonëse i ka zhvilluar vetëm 12 ndeshje në këtë edicion, ish-futbollisti i Rizesporit, Fenerbahçes e Lazios është zënë plot 19 herë në “offside”, që i bie gati dy pozita jashtë loje brenda një ndeshjeje.

Përfaqësuesi i Kosovës gjendet përpara Moratas e Diakites, që ishin 18 herë në “offside”, kurse Osimhen 17 herë.

Megjithatë, Muriqi ka qenë shpëtimtar i Mallorcës në dy sezonet paraprake, ndërsa do të mundohet ta ketë këtë rol edhe në këtë edicion pasi të rikthehet.

Ekipi ishullor aktualisht i ka 18 pikë, vetëm pesë larg vendit të tretë nga fundi, pozitë kjo që nuk e garanton qëndrimin në La Liga.

29 vjeçari i ka realizuar katër gola në 12 ndeshje ndërsa lëndimi që e pësoi më 12 nëntor në ndeshjen Kosovë – Izrael, e vlefshme për kualifikimet e Euro 2024, e ndërpreu rrugëtimin e prizrenasit.

Edhe pse pritej që tërheqja muskulore do ta linte Muriqin për vetëm 4 deri në 6 javë, ai mungoi dy muaj dhe pritej të rikthehej më 13 janar kundër Celta Vigos.

Por, shërimi i tij nuk shkoi sipas parashikimeve dhe sipas të gjitha gjasave “Pirati” do të jetë jashtë fushave deri në muajin shkurt, që i bie se ai do t’i humbasë gati tre muaj.

Muriqi ishte huazuar fillimisht nga Lazio tek Mallorca, ndërsa më pas ishte blerë përfundimisht nga klubi spanjoll.

Ai i ka realizuar 25 gola në 66 ndeshje zyrtare me Mallorcën. /Express

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Kevin de Bruyne mund të largohet nga Anglia gjatë verës…