Muriqi mund të largohet nga Mallorca në verë

23 prill 2025 | 13:03

Pablo Ortells, drejtor sportiv i Mallorcas, ka folur rreth mundësisë që sulmuesi i kombëtares së Kosovës, Vedat Muriqi, të largohet nga klubi.

Kohë më parë, Muriqi ka folur për këtë çështje, duke shprehur pakënaqësinë e tij rreth kontratës së re me klubin. Kjo, siç ka raportuar “Estadio Deportivo”, ka sjellë një situatë në të cilën nuk përjashtohet mundësia që Muriqi të largohet nga Mallorca në merkaton e verës.

Një ikje e mundshme nuk përjashtohet as nga Pablo Ortells, drejtori sportiv i Mallorcas. Në një intervistë për gazetën “Marca”, ai ka thënë se Muriqi është një lojtar i rëndësishëm dhe është një shenjë e mirë që ai dëshiron të vazhdojë me klubin.

“Do të ishim të lumtur të vazhdojmë të llogarisim tek ai. Ai ka një kontratë në fuqi dhe kur të vijë koha, shpresojmë që palët të arrijnë marrëveshje dhe ai të vazhdojë në Mallorca”,  ka thënë ai.

Pavarësisht kësaj tentative për të ulur tensionet, Pablo Ortells nuk ia ka mbyllur derën një largimi të mundshëm të Vedat Muriqit në merkaton e verës së ardhshme duke thënë se gjithçka mund të ndodhë kur ai është pyetur për të ardhmen e Muriqit, Larinit dhe Abdon Prats.

“Tregjet janë të pasigurta dhe ne nuk mund të hamendësojmë të ardhmen. Të tre kanë kontrata dhe në këtë kuptim jemi të qetë. Asgjë nuk përjashtohet. Ata janë tanët dhe në verë do të shohim se çfarë do të ndodhë. Vedat Muriqi ka kontratë me Mallorcan deri më 30 qershor 2027, por dëshira e tij ishte të forconte lidhjen me klubin”, ka thënë ai.

Kjo kërkesë, sipas “Estadio Deportivo”, ka rënë në vesh të shurdhër, pasi sulmuesi nga Kosova ka zbuluar se pas gjashtë muajsh pritje nuk kishte asnjë lëvizje nga Mallorca. Kjo nuk i ka pëlqyer Muriqit, i cili publikisht ka shfaqur shqetësimin e tij. “Më thanë të pres sepse duhej të flisnin me bordin dhe kanë kaluar gjashtë muaj… Është e shëmtuar. Dhe është edhe më e shëmtuar për një lojtar që jep jetën në fushë për ekipin”, ka thënë ai në një intervistë.

Vedat Muriqi, këtë sezon ka shënuar 7 gola në 26 ndeshje, duke shtuar 2 asistime. Sulmuesi është i lumtur te Mallorca, por prej kohësh kërkon një rinovim të kontratës që për momentin klubi ka preferuar ta shmangë.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Zëvendëskryeministri i parë në detyrë për Integrim Evropian, Zhvillim dhe…