Muriqi mund të rikthehet ndaj Realit
Sulmuesi Vedat Muriqi e ka nisur fazën e rehabilitimit pas lëndimit që e kishte pësuar të dielën e 12 nëntorit teksa po e përfaqësonte Kosovën në duel me Izraelin.
Pesë ditë më pas, “Pirati” ka përfunduar në Mallorca, ndërsa me 17 të këtij muaji në qytetin ishullor u është nënshtruar kontrolleve mjekësore. Fillimisht u parapa që prizrenasi do të mungojë 4 deri në 6 javë dhe, sipas parashikimeve, nëse nuk ndodhin mrekullitë, 29-vjeçari do t’i humbë ndeshjet kundër Atletico Madridit, Cadizit, Alavesit e Sevillës, ndërsa është e dyshimtë prania e tij kundër Osasunës, shkruan mediumi spanjoll “AS”.
E në rast se nuk do të jetë gati për takimet e fundit të vitit 2023, atëherë ish-futbollisti i Rizesporit, Fenerbahçes e Lazios, do të kthehet në fillim të janarit. Më saktësisht, më 3 janar në ndeshje kundër Real Madridit në La Liga.
“Gjithçka do të shkojë mirë”, ka thënë Muriqi pasi e nisi fazën rehabilituese. Prizrenasi i ka realizuar 4 gola dhe i ka bërë 2 asistime në 12 ndeshje të zhvilluara.