Muriqi, në mes të Fenerbahçes dhe Galatasarayt
Sulmuesi i Kombëtares së Kosovës, Vedat Muriqi do të largohet nga Lazio dhe në janar pritet të rikthehet në Turqi. Dy gjigantët nga Stambolli janë në garë për 27-vjeçarin. Ylli i Kosovës nuk ka arritur të bind me kualitetet e tij në kryeqytetin italian. Ai i ka realizuar vetëm dy gola për një vit e gjysmë. Prandaj, “Biancocelesti” kanë vendosur ta shesin prizrenasin në afatin kalimtar të janarit. Për përfaqësuesin e Kosovës, të gjitha rrugët çojnë kah Turqia.
Për të, interesim kanë shfaqur ish-klubi i tij, Fenerbahçe dhe gjiganti tjetër nga Stambolli, Galatasaray.
Më i mundshëm është rikthimi i Muriqit në klubin “Verdh e Kaltër”, aty ku e ka arritur kulmin e karrierës. Sidoqoftë, nuk përjashtohet mundësia që ai të përfundojë në Galatasaray.
Kjo pasi Lazio e pëlqen mbrojtësin e majtë të këtij ekipi, Patrick John Miguel van Aanholt. Andaj, Muriqi do të mund të shkëmbehej pikërisht me mbrojtësin e majtë holandez. 27-vjeçari nuk ka arritur kurrë t’i bind drejtuesit e Lazios. Atij i është dhënë rasti disa herë, por nuk ka ditur ta shfrytëzonte. Prandaj, Muriqi i ka bërë valixhet gati dhe pritet të largohet nga Italia në fillim të janarit. Futbollisti nga Kosova i kishte kushtuar Lazios afro 20 milionë euro dhe ai kishte nënshkruar kontratë deri në vitin 2025.