Muriqi në mesin e gjashtë golashënuesve të huaj më të mirë në histori të Mallorcas
Vedat Muriqi po vazhdon të impresionojë në kampionatin spanjoll të futbollit.
Ylli nga Kosova ka realizuar mbrëmë në fitoren 1:0 ndaj Valencias për të arritur në kuotën e 14 golave në La Liga, krahas tri asistimeve.
Prizrenasi i kishte shënuar edhe pesë gola në pjesën e dytë të sezonit të kaluar kur ishte i huazuar nga Lazio.
Kjo nënkupton se 29-vjeçari në total i ka realizuar 19 gola në total në La Liga deri tash.
Kështu, ish-futbollisti i Rizesporit, Fenerbahçes dhe i Lazios e sheh veten në vendin e gjashtë në listën e golashënuesve të huaj më të mirë në histori të klubit spanjoll në La Liga.
Ai e ndan këtë pozitë me Tomer Hemed, ndërsa përpara tij janë, lideri Samuel Eto’o, i cili është shumë larg me 54 gola, i ndjekur nga Juan Arango (46), Pierre Webo (27), Ariel Ibagaza (25) e Chory Castro (23), shkruan “Express”.
Ndër të tjera, prizrenasi është golashënuesi i pestë më i mirë i La Ligas këtë edicion. Ai është këndellur dukshëm pas eksperiencës dëshpëruese që e pati në Itali me Lazion.