
Muriqi në Spanjë dhe Bekaj në Turqi, dy yjet e Kosovës në formacionin e javës
Dy yjet e kombëtares së Kosovës, Vedat Muriqi dhe Visar Bekaj kanë përfunduar si pjesë e formacioneve më të mira të javës në kampionatet ku luajnë me skuadrat e tyre, Mallorca dhe Hatayspor.
Yjet e Dardanëve po vazhdojnë me formën e mirë këtë sezon me ekipet e tyre evropiane, duke lënë gjurmë me paraqitje të mira.
Të tillë janë edhe sulmuesi Vedat Muriqi dhe portieri Visar Bekaj, të cilët kanë qenë vendimtar me ekipet e tyre Mallorca dhe Hatayspor.
Muriqi ishte lojtari kryesor i Mallorcas në fitoren 3-1 ndaj Las Palmas në ndeshjen e vlefshme për javën e 24-të në La Liga, duke shënuar dy gola.
Po aq vendimtar në fitoren e Hatayspor 1-0 ndaj Alanyasporit ishte edhe portieri Bekaj, i cili pati katër pritje në këtë ndeshje duke mbajtur portën e paprekur.
Paraqitjet e tij të mira u vlerësuan lartë edhe nga faqja e specializuar e statistikave Sofascore, e cila i vendosi të dy në formacionin e javës në kampionatet e tyre.
Muriqi pati notë 8.2, duke qenë pjesë e formacionit me emra si Isco, Marc Roca dhe Jose Gimenez, teksa Bekaj u notua me 7.6 dhe ishte pjesë e formacionit me emra si Victor Osimhen dhe Youssef En-Nesyri.