Muriqi: Nuk dua të largohem dhe nuk dua të më shesin
Sulmuesi i Përfaqësues së Kosovës, Vedat Muriqi ka konfirmuar edhe një herë vendimin e tij për të qëndruar tek Mallorca. Ylli “dardan” kishte nënshkruar kontratë afatgjate vitin e kaluar dhe krejt fokusin e ka tek klubi ishullor spanjoll.
“Unë nuk dua të largohem dhe nuk dua që Mallorca të më shesë”, ka deklaruar Muriqi për “Diario de Mallorca”. Madje, ai ka aspirata të mëdha me ekipin e La Ligas.
“Shpresoj ta kemi një vit edhe më të mirë. Do të ishte një ëndërr ta fitojmë Copa del Rey dhe të luajmë në Evropë”, ka shtuar Muriqi, i cili ka realizuar 15 gola në sezonin e kaluar në kampionatin spanjoll dhe pesë të tjera paraprakisht në gjysmë edicioni sa ishte i huazuar nga Lazio. “Unë nuk ndihem yll i ekipit, nuk kam bërë ende asgjë”, ka përfunduar Muriqi. Për ish-futbollistin e Fenerbahçes dhe të Lazios thuhet se interesim kanë shfaqur klubet e La Ligës, të Premierligës, në Serie A dhe në Superligën turke.