Muriqi për mungesën e golave: Kam eksperiencë për t’i rikthyer gjërat përmbys

31 janar 2025 | 12:02

Vedat Muriqi e ka pranuar se po kalon nëpër një moment të vështirë të karrierës. Sulmuesi kosovar e ka dhënë një intervistë për mediumin spanjoll “Onda Cero”, përmes së cilit foli për situatën e tij aktuale.

30-vjeçari i ka shënuar vetëm tre gola në këtë sezon, ndërsa i ka dhuruar edhe dy asistime nga 18 ndeshje të zhvilluara në të gjitha garat, statistika këto të zbehta duke e pasur parasysh se në sezonet e kaluar ishte protagonist tek ekipi ishullor, të cilin e ndihmoi tri herë që të mbetej në La Liga.

“Sulmuesi gjendet në telashe nëse nuk shënon gola. Sezonin e kaluar, unë u përballa me një lëndim serioz, por ia dola ta menaxhoja situatën dhe i shënova shtatë gola. Këtë vit, përkundër faktit se ekipi ynë po ka më shumë posedim dhe po krijon më shumë raste, numri i golave të mia është zvogëluar”, ka deklaruar fillimisht ish-futbollisti i Rizesporit, Fenerbahçes e Lazios.

“E gjej veten në një pikë të vështirë, por unë kam eksperiencë të mjaftueshme për t’i rikthyer gjërat përmbys, pasi ekipi ka nevojë për më shumë fitore dhe unë për gola. Jam i vendosur që ta thyej këtë rënie personale”, ka shtuar Muriqi.

“Roli im primar është që t’i ndihmoj shokët e skuadrës, shënimi i golave është kolektiv. Sidoqoftë, nëse unë nuk e gjej golin, trajneri duhet të bëjë zgjidhje alternative. Ky është një veprim i arsyeshëm dhe unë duhet të kontribuoj sa të mundem”, ka përfunduar prizrenas. Ky mund të jetë sezoni i fundit i Muriqit në Mallorca pasi spekulohet se gjatë vërës që vjen ai mund të rikthehet në futbollin turk.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Reperi i njohur Gjesti po kalon një periudhë të vështirë…