Muriqi suspendohet me një ndeshje, mungon ndaj Getafes
Sulmuesi i Kosovës, Vedat Muriqi do t’i mungoj skuadrës së Mallorcas për duelin e radhës në kampionat. Ai nuk do të jetë në dispozicion të trajnerit për ndeshjen ndaj Getafes, që Mallorca e luan të shtunën në udhëtim në kuadër të xhiros së 19-të në La Liga.
Muriqi është suspenduar me një ndeshje moslojë nga komisioni disiplinor për shkak të ndëshkimit me karton të kuq vikendin e shkuar ndaj Gironas. Mallorca e fitoi ndeshjen 2-1, ndërsa Muriqi u ndëshkua direkt me karton të kuq për ndërhyrje të rrezikshme, duke bërë që të pezullohet me një ndeshje moslojë.
Për Muriqin, kjo është hera e dytë që merr një suspendim të tillë këtë sezon pasi i mungoi Mallorcas edhe kundër Valencias për shkak të ndëshkimit me karton të kuq ndaj Las Palmasit. Në 14 ndeshje të luajtura këtë sezon në kampionat, 30-vjeçari Muriqi ka shënuar tri gola dhe ka bërë një asistim.