Murphy: LDK-ja mbrëmë dëshmoi fuqinë e saj për fitoren më 6 tetor
Dara Murphy, nënkryetar i Partive Popullore Evropiane (PPE), gjatë një takimi që ka zhvilluar sot me Shtabin Zgjedhor të LDK-së për zgjedhjet e 6 tetorit, ka thënë se tubimi i mbrëmshëm i LDK-së në Prishtinë dëshmoi fuqinë e kësaj partie dhe kandidates për kryeministre, Vjosa Osmani, drejt fitores në zgjedhje.
Murphy ka përgëzuar kryetarin e Shtabit Zgjedhor të LDK-së, Lutfi Haziri dhe gjithë ekipin e tij për organizimin e një fushate moderne, siç i ka hije një partie simotër të Partive Popullore Evropiane.
Ai ka thënë se LDK-ja, si pjesë e PPE-së po bartë tek qytetarët e Kosovës vlera të larta demokratike.
Murphy e ka vlerësuar lartë listën e kandidatëve të LDK-së për zgjedhje dhe kandidaten për kryeministre.
“Vjosa siç e dinë të gjithë është politikane e madhe dhe njohëse e mirë e fushës së drejtësisë. Ajo ka dhënë kontribut në politikë në kohën kur Kosova e shpalli pavarësinë. Si një anëtare me përvojë e parlamentit, Vjosa ka qenë pjesë e vendimeve dhe zhvillimeve më të rëndësishme të shtetit”, ka thënë Murphy.
Nënkryetarja e LDK-së, Vjosa Osmani e ka falënderuar PPE-në për përkrahjen që i ka dhënë LDK-së, por edhe Kosovës në institucionet e Bashkimit Evropian. Osmani ka thënë miqësia e përjetshme me BE-në dhe Shtetet e Bashkuara, është vlerë e LDK-së, e cila do të zgjerohet edhe më tepër pas fitores në zgjedhje.
Nënkryetar i LDK-së, Lutfi Haziri, tha se zgjedhjet e 6 tetorit janë referendum për ndaljen e shpërdorimit të shtetit e të buxhetit dhe për heqjen e izolimit të Kosovës.
“Ne kemi besuar tash e 30 vite, dhe besojmë fuqishëm në shtetin e Kosovës, si realitet i përjetshëm, pavarësisht vështirësive për të normalizuar marrëdhëniet me fqinjët tanë. Normalizimi i marrëdhënieve me fqinjët do të ndodhë krahas fuqizimit të brendshëm të shtetit tonë dhe avancimit të integrimeve euro-atlantike”, ka thënë Haziri.
/Epoka e re/