Murtaja e Kamysë që goditi vetë nobelistin
Ashtu thjesht, siç hapet kryevepra e tij, u hap edhe gazeta me lajmin e hidhur atë ditë.
Albert Camus vdiq!
Ishte 4 janari i vitit 1960, kur shkrimtari nobelist 46-vjeçar, humbi jetën tragjikisht në një aksident me makinë në qytezën e vogël të Villeblevin.
Në xhepin e xhaketës së tij, ishte një biletë treni, e papërdorur.
Ai kishte bërë në plan të udhëtonte me gruan dhe fëmijët e tij nëpërmjet trenit, por, në minutë të fundit, kishte pranuar ftesën e botuesit të tij, Michel Gallimard, për ta shoqëruar me veturë.
Në një rrugë tërësisht të drejtë, aspak të akullt ose të rrëshqitshme, brenda çdo norme të lejuar shpejtësie, absurdisht, vetura doli nga rruga dhe u përplas me një përplas me një pemë.
Të dy, si shoferi Gallimard dhe pasagjeri i parë Camus, humbën jetën.
Në një çantë, të cilën Camus e mbante gjithnjë me vete, u gjetën dorëshkrimet e tij të fundit, mbi librin dhe kryeveprën e vetme të papërfunduar nga ai, “Njeriu i Parë”.
Një plagë e madhe e pushtoi shoqërinë intelektuale franceze, e cila kishte humbur ndoshta hyjin e saj më të madh e më të thjeshtë brenda një rryme absurde-ekzistencialiste, e cila kishte rivitalizuar gjithë Evropën e pjesë të botës.
Një murtajë e vërtetë – ndoshta si ajo e librit të famshëm – solli zinë kulturore, duke lënë pas trashëgiminë jetësore.
Murtaja – Ajo e vërteta
Në vitin 1947, Albert Camus do të publikonte një novelë, të titulluar “Murtaja”.
Ajo do të njihte menjëherë sukses të jashtëzakonshëm në rrathë të gjerë intelektualë parizienë e më pas evropianë e botërorë.
Camus ishte sprovuar në treg me kryeveprën e tij të pakohë, “I Huaji” dhe çdo titull i tij, pasues do ngjallte kureshtje.
Mirëpo, “Murtaja”, ose siç titullohet në origjinal “La Pestë”, ka shkuar realisht përtej kohërave.
Aq, sa shumë zëra, me fillimin e pandemisë COVID-19, e risollën në vëmendje atë si një “parashikim” që Camus bëri për çfarë do të ndodhte.
Megjithatë, Camus nuk qe fallxhor! Aq më pak një Nostradamus post-modern në absurditetin e tij.
Camus ishte intelektuali (jo)ekzistencialist i asaj kohe, i cili kishte kuptuar se murtaja e vërtetë, ishte ajo e cila nuk mund të parashikohej.
Ishte klithma shtrënguese që të përpinte rehatinë dhe e kthente qenien frymore intelektuale në një kufomë të parehatshme spirituale.
Murtaja – ajo e vërteta – ishte dhe është zbythja e njeriut përpara çdo fatkeqësie, të cilës zorr e ka t’i bëjë ballë.
Camus vetë, i bëri ballë të gjitha absurdizmave në jetën e tij. Por, njërën, nuk e mundi dot.
Pikërisht murtajën, e cila e goditi dhe të, pa mëshirë e pa rikuperim, në formën e një vdekjeje të parakohshme…
Jeta – Ajo e pavërteta
Në diferencimin kontekstual të kohshëm, ajo çfarë njerëzit jetonin, për Camus, ishte një shtirje (jo)jetësore.
Këtë ai e shpreh edhe në vepra si “Rënia” apo “Njeriu i Rebeluar”, ku qenia njerëzore shfaqet si një skenë me sipar të mbyllur, ku vetëm absurdi është litari i cili mund ta ngrejë atë dhe zhbëjë qenien e pavërtetë.
Një kontekst ku njeriu dhe zoti bashkoheshin e ndaheshin në të njëjtën pikë – atë të ekzistencës.
Veçse, i dyti, nul dhe i pari, i meremetuar në pavërtetësi.
Porsi Sizifi i mitizuar në përpjekjen e pafundme për lumturi rutinore, ashtu edhe njeriu sipas Camus, është rutinor në përpjekje për t’u mitizuar.
Veçse kjo është e pamundur!
Një plagë po aq e vërtetë sa vetë murtaja e parehatshme e mishëruar.
Një keqndenje njerëzore, siç do të përshkuante ai burgun ideal. Ose, një kolaps intelektiv nën opiumin fiktiv të moralit, i cili nuk mund të shihej e ndihej, por as të zhbëhej.
Ashtu, vetë Camus, do të jetonte në botën që nuk e donte, por dashuronte. Në botën ku dielli të vriste sytë, por të lindte jetën. Në botën ku vdekja qe e hidhur, por duhet të jetohej.
Ashtu si ai do të përshkruante Mersoin e tij, si një Krisht që njerëzimi meriton, martir do të qe vetë, i një fati ironik.
Jo Krisht, por as “anti”, murtaja e Camus, ishte vetë jeta, në të cilën shoqëria verbërisht kish’ zgjedhur të jetonte.
Jeta vetë, sipari skenik i pluhurosur!