Murtezaj: ATK-ja inkasoi 212.3 milionë euro
Drejtori i përgjithshëm i Administratës Tatimore të Kosovës (ATK), Ilir Murtezaj, ka bërë me dije se të hyrat e këtij institucioni për periudhën janar-maj të këtij viti janë 212.3 milionë euro që, në raport me periudhën e njëjtë të vitit të kaluar, janë rreth 18.7 milionë euro më shumë. Në këtë intervistë dhënë për gazetën “Epoka e re”, ai ka thënë se kanë zhvilluar rreth 127 aktivitete të konfiskimit të pasurisë që, si rrjedhojë, janë inkasuar mbi 2.6 milionë euro. Murtezaj ka thënë se nuk është i mjaftueshëm numri i inspektorëve që ka ATK-ja. Ai ka bërë me dije se kanë bërë kërkesë për rritjen e numrit të inspektorëve. Murtezaj ka treguar se me ardhjen e tij në krye të ATK-së janë zhvilluar një mori aktivitetesh në drejtim të reformave brenda këtij institucioni.
Intervistoi: Albulena MAVRAJ
“Epoka e re”: Z. Murtezaj, fillimisht na tregoni se çfarë e ka karakterizuar Administratën Tatimore të Kosovës që nga ardhja juaj në këtë detyrë?
Murtezaj: Siç dihet, ATK-ja të gjitha planet e veprimit i ka të bazuara në planet strategjike të qeverisë si dhe në Strategjinë e luftimit të ekonomisë joformale. Ne si ATK në vazhdimësi zhvillojmë aktivitete të përmbushjes vullnetare dhe bëjmë edhe veprime të tjera që janë prioritet i luftimit të ekonomisë informale, me fokus të tatimpaguesit që nuk i përmbushin detyrimet e tyre. Prej kur kam ardhur në pozitën e drejtorit të përgjithshëm të ATK-së janë zhvilluar një mori aktivitetesh në drejtim të reformave brenda këtij institucioni. Fillimisht është ngritur llogaridhënia te pjesa e stafit operativ në drejtim të rritjes së kualitetit të punës dhe rritjes së zbatimit të ligjit. Po ashtu, ka pasur angazhim të pjesa e mbledhjes së borxheve ku zyrtarët tatimorë të ATK-së, si rezultat i këtyre veprimeve, kanë ndikuar edhe në pjesën e konfiskimit të pasurisë tek individët dhe bizneset që kanë detyrime të pashlyera. Për periudhën tremujore kemi zhvilluar rreth 127 aktivitete të konfiskimit të pasurisë që, si rrjedhojë, janë inkasuar mbi 2.6 milionë euro. Kjo ka ndodhur për herë të parë në historinë e ATK-së, ku në një masë të madhe zhvillohen aktivitete të konfiskimit të pasurisë për personat dhe bizneset që nuk i kanë shlyer detyrimet e tyre. Kjo sigurisht se do të vazhdojë edhe më fuqishëm me qëllim të përmbushjes së detyrimeve nga tatimpaguesit dhe borxhit që i kanë ATK-së. Përveç misionit dhe qëllimit të ATK-së, që është çështja e mbledhjes së borxheve, ana tjetër e medaljes është pjesa e krijimit të një tregu të barabartë për të gjithë tatimpaguesit brenda territorit të Kosovës. Aktivitet tjetër që vlen të theksohet është edhe pjesa e ngritjes së një strukture të re brenda institucionit që drejtoj. Së bashku me FMN-në kemi ndërtuar këtë strukturë që në tërësi është në funksion të realizimit të qëllimit dhe misionit të ATK-së. Përmes kësaj strukture do të jenë përgjegjësitë kyçe të secilit aktivitet brenda ATK-së.
Gjithashtu, aktivitet tjetër është edhe orientimi ynë për zbatim të reformave më të thella në histori të ATK-së, ku së bashku me FMN-në jemi duke shkuar në drejtim të automatizimit të procesit të punës brenda institucionit të ATK-së.
Fillimisht jemi në fazën finale të automatizimit të punës te rimbursimet, ku taksapaguesit që parashtrojnë një kërkesë për rimbursim në vazhdimësi nga data e parashtrimit të kërkesës deri në përfundim të atij procesi kanë mundësi të jenë në informatë për të gjitha hapat se ku gjendet kërkesa e tij. Në këtë drejtim ligji për ATK-në parasheh që brenda 60 ditësh të kthehet përgjigjja për rimburism. Ne jemi duke tentuar që ta ulim këtë në 30 ditë, pra shqyrtimin e kërkesës për rimburisim dhe kthimin e mjeteve. Jemi në rrugë të mirë për ta automatizuar kategorizimin e kërkesës për rimbursim që bëhet duke ndikuar faktori njeri, duke e kategorizuar biznesin në kategoritë A, B, C sipas riskut që kanë këto biznese. Në një të ardhme të afërt ky proces do të bëhet përmes sistemit dhe nuk do të ketë ndikim faktori njeri. Kategoria A nënkupton bizneset që parashtrojnë kërkesë për rimburism dhe që nuk kanë risk për ATK-në. Në këto raste brenda periudhës shtatëditore do t’u rimbursohen mjetet. Në kategorinë B do të kemi një analizë më të thelluar dhe parashihet që brenda 20 ditësh të kthehen mjetet, ndërkaq kategoria C ka të bëjë me bizneset që kanë parashtruar kërkesë për rimbursim që kanë risk në ATK dhe nevojitet të bëhet një kontroll më i hollësishëm.
“Epoka e re”: Sa janë të hyrat e grumbulluara nga ATK-ja deri më tani dhe na tregoni burimin apo llojin e të hyrave?
Murtezaj: Të hyrat për periudhën janar-maj të këtij viti janë 212.3 milionë euro, që i bie se, në raport me periudhën e njëjtë të vitit të kaluar, kemi rreth 18.7 milionë euro më shumë apo 9.7 për qind më shumë. Sa i përket burimit të të hyrave, dihet që në ATK dominon pjesa e tatimeve direkte, që është rreth 43.3 për qind e të hyrave, pjesa tjetër nga tatimi në të ardhurat e korporatave dhe të ardhurave personale. Vlen të theksohet se nga praktikat ndërkombëtare prioritet në administratat moderne duhet të jenë tatimet direkte që në këtë vit kemi një fokusim të rritjes së tatimeve direkte për dallim nga tatimet indirekte. Pra, kemi rritje më të lartë rreth 16 për qind në krahasim me vitin e kaluar.
“Epoka e re”: Sa inspektorë ka ATK-ja në territorin e Kosovës dhe sa është i mjaftueshëm ky numër?
Murtezaj: Në si Administratë Tatimore e Kosovës kemi 812 të punësuar, prej tyre 311 janë inspektorë tatimorë, kurse 294 janë inspektorë të trenit dhe 17 janë inspektorë të ZGJONA-s, Zyrës për Gjoba dhe ndëshkime administrative. Sigurisht ky numër nuk është i mjaftueshëm. Kemi bërë kërkesa që të rritet ky numër me synimin që të kemi një shtrije më të madhe të aktiviteteve në terren në mënyrë që të jemi sa më afër tatimpaguesve, sidomos ndaj atyre që krijojnë shmangie tatimore. Aktualisht këta që janë duke punuar, e ritheksoj, nuk janë të mjaftueshëm pasi kemi një numër rreth 70 000 të tatimpaguesve aktivë dhe është pothuajse e pamundur ta shtrijmë aktivitetin në të gjithë territorin. Orientimet tona janë të bazuar në analizën e riskut që identifikohet me risk më të lartë dhe që pastaj inspektorët tatimorë gjatë aktiviteteve të tyre duhet të jenë të orientuar te tatimpaguesit me risk potencial.
“Epoka e re”: Sa iu përket transaksioneve mbi 500 euro përmes llogarive bankare, është diskutuar ulja e kësaj shume. Pra, çfarë është bërë në këtë drejtim?
Murtezaj: Në strategjinë e re kombëtare për luftim të ekonomisë informale që është miratuar këtë vit nga Qeveria e Republikës së Kosovës, ka një ndryshim për këtë dhe pretendohet që të ulet në 150 euro. Momentalisht është 300 euro. Në ligjet tona ende nuk është vendosur kjo, pra në Ligjin për Administratën Tatimore që është në draft dhe duke kaluar në procedura.
“Epoka e re”: Sa është numri i tatimpaguesve në të ardhurat personale? Sa prej tyre paguajnë për pagën primare dhe sa për pagën sekondare?
Murtezaj: Në ATK numri i të punësuarve dhe i bizneseve që deklarojnë tatim në të ardhurat personale në vazhdimësi ndryshon. Mbi bazën e të dhënave të sotme kemi një numër prej 46 694 bizneseve që deklarojnë tatimin në të ardhurat personale dhe nga to për punëtor primar numri është 318 484 dhe sekondar 17 069, por dihet se këto deklamime bëhen në një formular të përbashkët.
“Epoka e re”: Moszbatimi i rekomandimeve të ZAP-it në disa raste, çfarë sfidash po sjellë?
Murtezaj: Bazuar në informatat që kam, si ATK kemi zbatuar pothuajse në tërësi rekomandimet e Auditorit të Përgjithshëm përjashtuar ato që nuk ndërlidhen me institucionet e tjera që edhe për ato raste ATK-ja ka zbatuar pjesën e detyrave të saj.
“Epoka e re”: Jemi në prag të fillimit të sezonit veror. Si ATK, a do të jeni më rigoroz sa iu përket deklarimeve nga estrada e cila në këtë kohë ka më së shumti punë?
Murtezaj: ATK-ja, bazuar në planet vjetore dhe operative në pjesën sezonale, zhvillon aktivitete operacionale. Gjatë kësaj periudhe bëjmë përpjekje të jemi më afër atyre që kanë aktivitete të shtuar në këtë periudhë, pra duke mos përjashtuar as estradën që potencuat, por do të jemi aktivë edhe te pjesa e hotelerisë e cila ka shmangie nga tatimi, që për ne dhe për shtetin paraqet një potencial. Në këtë drejtim në baza ditore apo 24/7 zhvillojmë aktivitet me qëllim të identifikimit dhe sigurimit të informatave të mjaftueshme për të bërë vlerësime ndaj atyre që nuk përmbushin detyrimet ligjore. Te pjesa e estradës dhe në të kaluarën ka pasur raste në të cilat është rezultuar me detyrime shtesë. Sa për informatë, gjatë vitit të kaluar mbi gjysmë milionë euro janë paguar nga estrada.
“Epoka e re”: Sa i përket pjesës së veriut, a keni shtrirje si ATK dhe a ka rezistim nga ana e tyre për t’i deklaruar tatimet?
Murtezaj: Shtrirje kemi, por ka edhe rezistim. Nuk mund të themi se si ATK mund të shkëputemi nga aktualiteti politik. Si rrjedhojë, as ATK-ja nuk mund ta evitojë këtë aktualitet. Aktualisht, ne kemi një numër të bizneseve që zhvillojnë aktivitete në atë pjesë dhe paguajnë tatim. Pra, janë rreth 1 100 biznese. Kemi një numër të komunitetit serb, janë 20 inspektorë të cilët janë të detyruar për çdo ditë të bëjnë inspektime në pjesën veriore. Ka edhe të komunitetit shqiptar të cilët bashkëpunojnë në inspektime.