Murtezaj: ATK-ja po punon për luftimin dhe parandalimin e informalitetit në vend
Drejtori i përgjithshëm i Administratës Tatimore të Kosovës (ATK), Ilir Murtezaj, ka qenë pjesë e panelit të diskutimit për luftimin e ekonomisë joformale, me fokus në fiskalizim.
Ky diskutim ishte organizuar të martën nga Oda Ekonomike Amerikane në Kosovë dhe drejtuar nga përfaqësuesi i Deloitte në Kosovë.
Përveç pjesëmarrësve në panel, pjesë e diskutimit ishin edhe përfaqësues të ndryshëm të bizneseve, si dhe përfaqësues të operatorëve ekonomikë për shitje dhe furnizim të arkave fiskale.
Gjatë këtij diskutimi Murtezaj ka thënë se ATK-ja me të gjitha mekanizmat e saj është duke punuar për luftimin dhe parandalimin e informalitetit në vend. Ai ka theksuar se kjo është duke u bërë kryesisht në drejtim të vetëdijesimit të tatimpaguesve, jo vetëm të ndëshkimeve.
Drejtori i ATK-së ka pohuar se ulja e shkallës së ekonomisë joformale në vend do të bëhej duke rritur bashkëpunimin, fillimisht nga raportimi i qytetarëve deri tek instancat më të larta shtetërore për zbatimin e ligjit.
Murtezaj ka theksuar se periudha e pandemisë ka ndikuar edhe më shumë në mbarëvajtjen e procesit të fiskalizimit pasi, sipas tij, bizneset në masë të madhe nuk kanë përdorur pajisjen fiskale. Ai ka treguar se këtë vit janë shtuar aktivitetet e ATK-së për monitorimin e bizneseve për të verifikuar nëse janë të pajisur me arka fiskle dhe duke shtypur kupon fiskalë.
Ndërkaq kryetari i Odës Ekonomike Amerikane, Arian Zeka dhe kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës, Berat Rukiqi, kanë theksuar se bizneset e ndershme janë të interesuara që të ketë rregull, formalizim dhe trajtim të barabartë në treg.
Përfaqësuesit e operatorëve ekonomikë për shitje dhe furnizim të arkave fiskale kanë pohuar se tani ka çmime shumë të volitshme për blerjen e arkave fiskale.