Murtezaj: ATK-ja synon ta rrisë shumën e mjeteve të inkasuara mbi 22 %
Administrata Tatimore e Kosovës planifikon që gjatë vitit 2022 të rrisë shumën e mjeteve të inkasuara për arkën e shtetit mbi 22 për qind. Drejtori i ATK-së, Ilir Myrtezaj, tha për Radio Kosovën se projeksionet e planifikuara për këtë vit kapin shumën e 680 milionë euro, apo 130 milionë euro me shumë se në vitin 2021. Myrtezaj tha se sipas të dhënave të janarit 2022, objektivat jo vetëm që do të arrihen por edhe do të tejkalohen.
Radio Kosova: Zotëri Murtezaj, Administrata Tatimore e Kosovës krahas doganave është mbledhësi më madh i të hyrave për Buxhetin e Republikës së Kosovës. Sa është shuma e mjeteve që keni inkasuar gjatë vitit 2021?
Ilir Myrtezaj: ATK gjatë vitit 2021 ka performuar në mënyrë shumë të suksesshme, duke arritur të inkasojë mbi 597.7 milionë euro, shumë kjo që nëse e krahasojmë me vitin paraprak është mbi 130 milionë euro apo rreth 27% më shumë. Kjo performansë e mirë ka vazhduar edhe në janar 2022 ku kemi pasur rritje të hyrave tatimore për 17.1 milionë euro më tepër se janari i vitit 2021 apo 27% më shumë. Kemi edhe tejkalim të objektivave për janar 2022 në përqindje rreth 12%.
Radio Kosova: Sigurisht se tashmë i keni bërë edhe projeksionet për vitin 2022. Sa është shuma që planifikoni të mblidhni gjatë këtij viti 2022?
Ilir Myrtezaj: Realisht dihet se me ligjin e buxhetit janë të parapara edhe të hyrat buxhetore, të hyrat nga Doganat e Kosovës dhe Administrata tatimore e Kosovës. Bazuar në Ligjin e Buxhetit për ATK janë të planifikuara 680.4 milionë euro të mblidhen gjatë vitit 2022, shumë kjo që nëse e shohim në raport me vitin 2021 shihet se kemi rritje mbi 22%, ndërsa në raport me realizimin e vitit 2021 kemi rreth 14% planifikim të rritet në vitin 2022. Kjo nënkupton se është një vit mjaft sfidues në realizim të këtyre objektivave. Mirëpo, duke iu referuar janarit të këtij viti, atëherë janë indikacione pozitive të cilat na shtyjnë të besojmë se edhe gjatë vitit 2022 do të arrijmë t’i mbërrijmë objektivat, por gjithnjë me synim edhe t’i kalojmë ato.
Radio Kosova: Sa është shuma e borxheve që i kanë bizneset ndaj ATK?
Ilir Myrtezaj: Në fund të vitit 2021 stoku i borxheve të mbetura të papaguara ka qenë 434 milionë euro, që është një shumë e konsiderueshme, por duke iu referuar edhe gjendjes së krijuar si rezultat i pandemisë, jemi detyruar të kemi mirëkuptim ndaj bizneseve të cilave i është vështirësuar likuiditeti i tyre dhe zhvillimi i aktivitetit biznesor, dhe në përputhje me mundësitë ligjore kemi bërë programim te borxheve me marrëveshje, përkatësisht me këste. Gjatë vitit 2021 kemi arritur të rrisim të hyrat apo inkasimin e borxheve për diku mbi 36 milionë euro në raport me vitin paraprak, ndërsa në raport të vitit 2018, që ishte vit para fillimit të reformave të funksioni i mbledhjes së borxheve, atëherë kemi rritje 78% apo mbi 58 milionë euro.
Radio Kosova: Si keni planifikuar t’i mblidhni këto borxhe dhe kush janë borxhlinjtë më të mëdhenj?
Ilir Myrtezaj: Ne kemi bërë reforma në këtë indikator dhe këto reforma kanë bërë që ne të kemi ngritje të lartë të performansës në inkasim të borxheve dhe kjo reformë do të vazhdojë edhe gjatë vitit 2022 dhe viteve vijuese. Synimet tona janë që fillimisht në vitin 2022 ta ulim borxhin për 20%, në vitin 2023 40%, në vitin 2024 60% ndërsa në vitin 2025 synojmë që të kemi vetëm 10% të borxhit aktual që e kemi. Dhe kjo do të ishte njëra nga objektivat e institucionit tonë në këtë drejtim në planin afatmesëm sipas planit strategjik 2022-2026, që synojmë që më 2025 të mbërrijmë në nivelin e administratave të vendeve të zhvilluara.
Radio Kosova: Kur jemi te procesi i fiskalizimit të bizneseve në Kosovë, të dhënat tregojnë se aktualisht janë mbi 35 mijë biznese që janë fiskalizuar, që i bie se vetëm një e treta?
Ilir Myrtezaj: Ligji është shumë i qartë në këtë drejtim dhe shumë qartë ka paraparë dispozitat juridike, ku secili biznes që zhvillon aktivitet ekonomik me para kesh, atëherë është i obliguar që të ketë edhe pajisje fiskale. Në këtë raste është i detyruar edhe të përdorë pajisjen fiskale, pra, të lëshojë kupon fiskal sa herë që ofron shërbim ose shet mall.
Radio Kosova: Një pjesë e madhe e bizneseve që janë të fiskalizuara jo çdo herë lëshojnë kuponë fiskalë, sa është numri i ankesave të qytetarëve dhe si ka vepruar ATK në këto raste?
Ilir Myrtezaj: Duke iu referuar të dhënave të vitit 2020 dhe gjysmës së viti 2021, për shkak të pandemisë dhe kufizimeve që ishin në zhvillim të aktivitetit në sektorin e gastronomisë, ka pasur një rritje të tendencës për mos lëshim të kuponëve fiskalë dhe ankesat e qytetarëve kanë bërë që ne t’i forcojmë aktivitete tona në terren gjatë periudhës korrik, gusht dhe shtator e ku janë identifikuar një numër i lartë i bizneseve që nuk kanë lëshuar kuponë fiskalë dhe ndaj tyre janë marrë masa ligjore.
Radio Kosova: Ka pasur propozime për ulje te TVSH në disa produkte, ndër të tjera edhe për rrymë, a pritet diçka në këtë drejtim?
Ilir Myrtezaj: Në jemi agjenci ekzekutive dhe politikat fiskale hartohen nga qeveria dhe miratohen në Kuvendin e Kosovës e në këtë rast, çfarëdo versioni që vjen nga kuvendi dhe qeveria, qoftë me ulje apo ngritje të normave tatimore, ne do ta implementojmë. Deri tash nuk ka informata se ka ndonjë tendencë për ndryshim të normave tatimore në çfarëdo sektori, në këtë rast çfarë ju potencuat në sektorin e energjisë elektrike?
Radio Kosova: Së fundi ATK ka lansuar aplikacionin për verifikim të punëtorëve të deklaruar. Për këtë periudhë të shkurtër të funksionimit si e vlerësoni atë. A janë vetëdijesuar qytetarët përkatësisht a janë shpeshtuar rastet kur punëtorët e lajmërojnë punëdhënësin e tyre për mosdeklarim?
Ilir Myrtezaj: Ka raste që po denoncojnë. Kemi dashur që ta lehtësojmë procesion e raportimit duke i dhënë mundësi çdo qytetari të verifikojë nëse punëdhënësi i tij e ka formalizuar atë si punëtor, duke i dhënë mundësi që përmes sistemit elektronik ta bëjë verifikimin e tij e që në periudhë 24 mujore të vërejë në cilën periudhë ka qenë i formalizuar apo s’ka qenë fare. Në rastet kur s’ka qenë i formalizuar, atëherë i kemi dhënë mundësi që të bëjë denoncimin pa u identifikuar si denoncues për zyrtarët tanë tatimorë. Pas denoncimit, zyrtarët tatimorë shkojnë të bizneset për të vërtetuar nëse janë të sakta apo të argumentueshme ato denoncime të cilat janë aq mirë të përgatitura saqë edhe punëdhënësi nuk mund ta kuptojë se nga ka ardhur denoncimi. Mendoj se kjo është një vegël shtese që do ta ndihmojë procesin e formalizmit. Vlen të potencohet se vetëm brenda dy javëve kemi arritur që mbi 600 punëtorë t’i fusim në binarët legalë. Kemi qene te kujdesshëm të mos identifikohet denoncuesi as për zyrtarët tanë të terrenit, dhe kjo rritë sigurinë për mbrojtje të denoncuesve.
Radio Kosova: Ju tashmë jeni në fund të mandatit, cili është ndryshimi që ju keni bërë në Administratën Tatimore të Kosovës dhe cilat kanë qenë sfidat që jeni përballur gjatë këtij mandati?
Ilir Myrtezaj: Sigurisht se gjatë periudhës tri vjeçare janë bërë shumë zhvillime e reforma brenda ATK që kanë shkuar në drejtim të automatizimit të proceseve të punës, fiskalizimit të sistemit tatimor por edhe ngritjes së llogaridhënies dhe përgjegjësisë. Kur të gjitha këto janë gërshetuar, kanë bërë që të kemi rritje enorme të performansës së ATK gjatë këtyre tri viteve, rritje kjo që është vlerësuar nga mekanizmat vendorë dhe ndërkombëtarë . Gjatë kësaj periudhe kemi pasur edhe sfida si në rrafshin e brendshëm ne aspektin e kufizimeve ligjore në drejtim të ndërmarrjes së masave dhe veprimeve ndaj zyrtarëve të cilët me dashje apo pa dashje nuk kanë zbatuar drejt ligjin në raste të caktuara. Po ashtu edhe në rastet ku gjatë zhvillimeve të reformave kanë dalë pengesa burokratike të cilat e kanë bërë më të vështirë zhvillimin e atyre reformave brenda institucionit. Ndërsa, në periudhën tjetër të këtij viti dhe viteve të tjera sfidë do ta kemi luftimin e informalitetit, sfidë që nuk është vetëm në institucionin tonë por edhe për organizata ose institucionet të tjera ligjzbatuese. Por , nëse të gjithë se bashku veprojmë, informaliteti do të zvogëlohet dukshëm.