Murtezaj dhe Qalaj të pakompromis në luftimin e ekonomisë joformale
Drejtori i përgjithshëm i Administratës Tatimore të Kosovës (ATK), Ilir Murtezaj me bashkëpunëtorë është pritur në takim nga drejtori i përgjithshëm i Policisë së Kosovës, Rashit Qalaj, me të cilin diskutuan rreth bashkëpunimit të deritanishëm, me theks të veçantë intensifikimin e bashkëpunimit në të ardhmen.
Drejtori Murtezaj fillimisht ka falënderuar drejtorin Qalaj për mbështetjen e ofruar për ATK-në në çdo kohë kur ka qenë i nevojshëm bashkëpunimi me policinë.
Ai ka potencuar se shumë aktivitete të ATK-së janë gati të pamundura pa asistimin e Policisë së Kosovës, andaj sipas tij në mënyrë që të vazhdohet edhe më fuqishëm në luftimin dhe parandalimin e dukurive negative mbështetja e policisë është e domosdoshme.
Nga ana tjetër, drejtori Qalaj ka ofruar përkrahje të plotë për ATK-në, për të qenë të pakompromis në parandalimin dhe luftimin e të gjitha dukurive, që ndërlidhen me ekonomin joformale.
Në këtë takim është thënë se ATK-ja është e përkushtuar të parandalojë dhe ta luftojë shmangien tatimore, si dhe çdo vepër tjetër penale që lidhet me tatimet.
/Epoka e re/