
Murtezaj: Ndërtimtaria dhe gastronomia, “prodhues” të punëtorëve pa letra
Automatizimi i procesit të punës në Administratën Tatimore të Kosovës (ATK) ka bërë që asnjë tatimpagues të mund të pretendojë se mundet t’i anashkalojë apo vonojë pagesat e detyrimeve tatimore, thotë në një intervistë për Radion Evropa e Lirë, ushtruesi i detyrës së drejtorit ekzekutiv të ATK-së, Ilir Murtezaj.
Ky automatizim, sipas tij, ka bërë që të rritet përmbushja e obligimeve tatimore në mënyrë vullnetare, ndonëse mbeten sfidë borxhet e vjetra në vlerë të rreth 500 milionë eurove.
“Një nga sektorët, apo çështjet që është identifikuar si risk në informalitet, është pjesa e punëtorëve të padeklaruar. Ne edhe në të kaluarën kemi monitoruar këtë proces, mirëpo tashmë kemi projekt specifik për punëtorë të padeklaruar. Vetëm gjatë këtij viti janë identifikuar rreth 1.360 punëtorë të padeklaruar , apo që nga fillimi i projektit kemi identifikuar mbi 7.000 punëtorë të padeklaruar. Përveç këtyre rezultateve, të dhënat tjera tregojnë se në vazhdimësi po ka rritje. Nga muaji në muaj, ka raportime të reja nga punëdhënësit, të cilët raportojnë për punëtorë përmes deklaratave të mbajtjes së deklarimit në burim. Vetëm gjatë këtij muaji i kemi rreth 15 mijë punëtorë më shumë se në korrikun e vitit 2022. Mund të themi se disa nga ta janë edhe për shkak të rritjes së punësimit, por disa janë edhe rezultat i formalizimit”, ka deklaruar Murtezaj.
I pyetur se cili sektor ka më tepër punëtorë të padeklaruar, Murtezaj ka theksuar se sektori i ndërtimtarisë dhe sektori i gastronomisë kanë më tepër punëtorë të padeklaruar.
“Nëse iu referohemi të dhënave nga terreni atëherë del se sektori i ndërtimtarisë dhe sektori i gastronomisë kanë më tepër punëtorë të padeklaruar”, ka thënë ai.
Ai ka treguar numrin e përgjithshëm të punëtorëve të deklaruar aktualisht në tregun e Kosovës.
“Sipas të dhënave të muajit korrik, i kemi mbi 405 mijë punëtorë të raportuar, rreth 15 mijë më shumë sesa gjatë muajit korrik të vitit të kaluar”, ka pohuar Murtezaj.