Murtezaj për zgjedhjet në LDK: ‘Unë jo, por Ti’…
Zyrtari i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Valon Murtezaj, ka komentuar procesin e brendshëm zgjedhor në këtë parti.
Ai përmes një shkrimi të postuar në llogarinë e vet në “Facebook”, ka shkruar se një vështrim i vëmendshëm për zgjedhjet brenda Lidhjes Demokratike të Kosovës, sjell në pah një aspekt të rëndësishëm që po ndodh.
“Ky është proces i transformimit kulturor të LDK-së. Në njërën anë, ky proces transformimi është interesant, atraktiv dhe zhvillimor, ndërsa në anën tjetër është kompleks, shumëdimensional dhe me riskun e vet përcjellës.
Një fenomen po bëhet i vërejtshëm. Gara zgjedhore brenda LDK-së, në secilin nivel të organizimit, po kalon nga periudha ‘Unë jo, por Ti’, në periudhën, ‘Ti jo, por Unë’!”, ka shkruar Murtezaj, duke shtuar se “Kjo do të thotë që nga kultura kolektiviste që ka dominuar proceset zgjedhore prej themelimit e fillimit, gradualisht por gjithnjë e më qartë dhe intensivisht, po kalon në kulturën individualiste të garës”.
“Pra, nga vendosja e rolit kolektiv në plan të parë, dhe rolit individual në plan të dytë – që nënkupton individin që shikon përreth kush është më i duhur për të qenë udhëheqës, ndërsa veten e sheh si përkrahës në rolin e vet primar – po kalohet në periudhën kur individi e sheh veten si udhëheqës në rolin primar, dhe të tjerët në rolin e përkrahësve.
Që të jem sa më i qartë: e gjithë kjo është plotësisht në rregull, dhe sidomos është plotësisht legjitime”, ka shkruar Murtezaj.
Ai ka thënë se po ashtu, gjithmonë duke qëndruar në kuadrin konstruktiv të zhvillimeve, kjo mund të kuptohet dhe interpretohet edhe në mënyrë tjetër: “kultura individualiste e shprehur ka synim të punojë për interesat e të tjerëve, por duke realizuar këtë përmes ambicies për të ardhur në rolin udhëheqës fillimisht, dhe pastaj përmes ekipeve të zgjedhura dhe pasuesve përkrahës të adresohen çështjet me interes për pasuesit (elektoratin), dhe në kontekstin më të gjërë për qytetarët”, ka theksuar ai.
Murtezaj ka thënë se është e paqëlluar të themi se cila kulturë, ajo kolektiviste apo individualiste, është më e mirë se tjetra.
“Ngase, shpeshherë këto janë të ndërlidhura, apo mund të ndërlidhen, dhe sidomos nëse janë në shërbim të përkrahësve (dhe qytetarëve) dhe përmbushin interesat e tyre, atëherë gjërat janë në rregull”.
“Po ashtu, është rrjedhë normale e transformimit për një organizatë si LDK, që vepron për tre dekada, dhe sidomos duke pasur parasysh ndryshimet dhe transformimet e përgjithshme në kulturën politike dhe shoqërore në përgjithësi në Kosovë”, ka deklaruar Murtezaj.
Ai ka shtuar se “Por, për të qenë gjithçka OK, lidhur me gjithë këtë që u tha më lartë, kushdo (Secila dhe Secili) që synon post udhëheqës duhet të ketë edhe disa aspekte parasysh, dhe t’i zbatojë me përpikëri dhe me ndërgjegjën më të lartë.
Është e rëndësisë esenciale, që pazëvendësueshëm dhe domosdoshmërisht: procedurat demokratike dhe pjesëmarrëse duhet të udhëhiqen nga synimet dhe parimet e meritokracisë që në thelb kanë parimin ‘njeriu i duhur në vendin e duhur’, që arrihen përmes zbatimit të plotë të normave që rregullojnë këto procedura”.
Krejt në fund, Murtezaj ka theksuar se kushdo që është pjesë e procesit zgjedhor, duhet të manifestojë aftësinë e të kuptuarit të një koncepti themelor individual dhe njerëzor: njohjen e vetes (vetvetes).
Sipas tij, kjo nënkupton që secili dhe secila të bëjë një vlerësim real të aftësive dhe mangësive, dhe në bazë të kësaj të jap kontributin individual në gjithë procesin.
“Kjo nuk është gjëja më e lehtë, por zhvillimi në kulturën individualiste fillon kur individi bën vlerësim real të vetes.
Mendoj, kjo është rruga e duhur, në këtë moment, që do të siguronte proces transformimi efektiv kulturor të nevojshëm të Lidhjes Demokratike të Kosovës, dhe të Kosovës europiane në përgjithësi si efekt pasues”, ka thënë ndër të tjera Murtezaj.
/Epoka e re/