Musa Mansa: Kush ishte njeriu më i pasur në histori

15 korrik 2022 | 14:34

Përgjatë gjithë historisë ka pasur njerëz shumë të pasur. Ata kanë grumbulluar një pasuri të atillë për veten e tyre, të cilën shumica vetëm mund ta ëndërrojnë. Dhe pasuria është mjeti me të cilin matet i gjithë suksesi në këtë botë. Musa Mansa hyri në histori si njeriu me pasurinë më të madhe në histori. Më poshtë gjeni disa fakte befasuese rreth këtij personazhi:

1. Ishte nga Afrika Perëndimore

Afrika njihet botërisht si kontinenti më i varfër në tokë, por nuk ka qenë gjithmonë kështu. Në fakt ky kontinent ka përqendrimin më të madh të burimeve natyrore, të tilla si nafta, bakri, diamantet, boksiti, litiumi, ari, pyjet e drurit të fortë dhe frutat tropikale. Rreth 30 për qind e burimeve minerale të tokës gjenden në kontinentin afrikan.

Kjo mund të shpjegojë edhe arsyen pse perandori i perandorisë së Malit, Mbreti Musa Mansa, ishte kaq i pasur. Mbretëria e tij e madhe shtrihej në atë që është Senegali i sotëm, Mauritania Jugore, Mali, Burkina Faso Veriore, Nigeri Perëndimor, Gambia, Guinea-Bisau, Guinea, Bregu i Fildishtë dhe Gana Veriore.

Musa Mansa: Kush ishte njeriu më i pasur në histori

King Mansa Musa of the Mali empire

2. Pasuritë e tij erdhën kryesisht nga kripa

Në dallim nga metodat moderne të krijimit të pasurisë si sistemet e qirave dhe ato kompjuterike/softuerike, një pjesë e pasurisë së Mansas erdhi nga nxjerrja e depozitave të konsiderueshme të kripës dhe arit. Edhe pse nëpërmjet trashëgimisë, ai mori një perandori që ishte tashmë e pasur, përpjekjet e tij në zgjerimin e tregtisë e bënë Malin mbretërinë më të pasur në Afrikë. Fildishi i elefantit, ishte një tjetër burim kryesor i pasurisë së tij.

3. Kur vizitoi Egjiptin i shkaktoi këtij vendi një inflacion 12-vjeçar

Ashtu si dy sundimtarë të tjerë para tij, mbreti Mansa ndërmori një pelegrinazh (Haxhi) në vitin 1324 si një akt përkushtimi në përputhje me traditën islame. Gjatë pelegrinazhit të tij në Mekë, ai kaloi nëpër Egjipt. Shpenzimet e tij në ar në tregun e Kajros ishin aq të mëdha, saqë shkaktuan një rënie të madhe në vlerën e tij. Tregu mbeti i paqëndrueshëm deri në 12 vjet më vonë.

4. Gjatë udhëtimit në Mekë, shoqërohej nga dhjetëra mijëra njerëz dhe dhjetëra deve, secila e ngarkuar me 136 kilogramë ar

Sot shumica e figurave publike lëvizin të shoqëruar nga truproja, dhe numri mund të ndryshojë në varësi të statusit social. Por asnjë numër nuk është i krahasueshëm me atë të mbretit Musa. Në udhëtimin e tij në Mekë, Mansa u shoqërua nga një karvan i jashtëzakonshëm i përbërë nga 60.000 burra, duke përfshirë një grup personal prej 12.000 personash të skllavëruar, të gjithë të veshur me mëndafsh persian. Kur udhëtonte mbi kalë, ai paraprihej nga 500 skllevër, secili me një shkop të stolisur me ar. Për më tepër, mbreti kishte një karvan me 80 deve, secila e ngarkuar me 136 kg ar.

5. Pasuria e tij vlerësohet në 400 miliardë dollarë me kursin e sotëm

Faqja e internetit amerikane “Celebrity Net Worth”, e vlerëson pasurinë e mbretit Musa Mansa në 400 miliardë dollarë. Por historianët e ekonomisë, thonë se pasuria e tij është e pamundur të përcaktohet me saktësi. Ekzistojnë një mori arsyesh pse historianët nuk janë në gjendje të llogarisin realisht pasurinë e tij. Njëra prej tyre është se pasuria e tij nuk ekzistonte vetëm në perandorinë e Malit, pasi ai e zgjeroi tregtinë e tij nëpër gjithë Afrikën.

6. Ishte një mysliman i përkushtuar

Perandori i Malit ishte një mysliman, ashtu si dy të tjerët para tij, dhe pelegrinazhi i tij në Mekë, i njohur gjithashtu si haxhi, i dha atij një reputacion në të gjithë Afrikën Veriore dhe Lindjen e Mesme. Mbreti Musa e pa Islamin si “një hyrje në botën e kulturuar të Mesdheut Lindor”.

Pas udhëtimit të tij në Mekë, mbreti Mansa Musa filloi të rigjallëronte qytetet në mbretërinë e tij. Ai ndërtoi xhami dhe ndërtesa të mëdha publike në qytete si Gao, dhe më i famshmja, Timbuktu, që u bë një qendër kryesore universitare islame gjatë shekullit të XIV-të.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Skuadra gjermane, FC St. Pauli ka zyrtarizuar transferimin e futbollistit…