Sportistja më e mirë e vitit 2018 është shpallur Edona Luta
Federata e Bodybuildingut dhe Fitnesit në Kosovë ka mbajtur ceremoninë e fundvitit gjatë së cilës ka shpallur laureatët e vitit 2018. Sportisti më i mirë në kategorinë e Forcës për vitin 2018 u zgjodh Besmir Musa, në ngritjen e peshave deri në 490 kilogramë.
Epitetin e klubit më të mirë për këtë vit e mori klubi “Five Star” në Prishtinë, ndërsa gjyqtari i vitit për këtë lloj të sportit u shpall Xhevdet Lebaja, raporton “kp”.
Me epitetin kampionë e sportistë më të mirë në kategori të ndryshme u nderuan edhe Shend Krasniqi, Mensur Zeqiri, Valdete Tahiri, Blerta Ibrahimi, Nikollë Hajdaraj, Bylent Kera, Besart Salihu, Asaf Llozhani etj.
Ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Kujtim Gashi, ka thënë se ky lloj sporti është i rëndësishëm dhe premtoi përkrahje për këtë federatë edhe për vitin 2019. “Është një prej viteve që po kulmon me rezultate në të gjitha llojet e sportit, dhe në kuadër të kësaj jam shumë i bindur që edhe sporti i kësaj federate ka pasur rezultate të mira, ka pasur suksese të mira.
Natyrisht që është sport pak më specifik, dhe natyrshëm mund të mos jenë parë rezultatet dhe sukseset e sportistëve të bodybulidingut dhe fitnesit, por gjithsesi është pjesë shumë e rëndësishme e zhvillimit të sporteve në Kosovë”, ka thënë Gashi.
Kryetari i FBFK-së, Esat Lata, vitin 2018 për këtë federatë e ka cilësuar shumë të suksesshëm, e për vitin 2019 premtoi më shumë punë e medalje të reja për Kosovën në sportin e bodybuildingut. “Këtë vit kemi bërë një punë të jashtëzakonshme duke përfaqësuar vendin tonë edhe në gara ndërkombëtare me pozicione goxha të mira, jo sikur vitin e kaluar, po sigurisht se edhe vjet kemi vende të suksesshme, ku kemi përfaqësim të mirë në kampionatet e Evropës, në të cilën i kemi dy vende, Besart Maxharri ka qenë në vendin e katërt në Evropë, kurse në vendin e pestë Edona Luta”, ka thënë Lata.
Gjatë ceremonisë u ndanë edhe mirënjohje të veçanta për MKRS-në, Komitetin Olimpik të Kosovës dhe Drejtorinë e Sportit, si institucione që e përkrahën këtë federatë. Ndërsa Flamur Rexhaj, Astrit Bytyqi dhe Shpejtim Buduri u nderuan me mirënjohje të veçanta si individë. Epitetin punëtori sportiv i vitit 2018 e mori Mirsad Bojku.