Musa Tolaj, ky atdhetar që punoi për një komb të bashkuar
Imer Xhemail Lladrovci
Më shumë se 1/3 e popullsisë shqiptare në këto 30-35 vitet e fundit është vendosur në Perëndim. Vatra kujtohet për këtë Shqipëri vetëm në kohë zgjedhjesh të përgjithshme. Mund të thuhet se nuk bën asgjë për të. Në këtë kohë të Kampionatit Europian në Futboll na shfaqet ajo me krenarinë e përkatësisë, gjë që na kujton se gjaku ynë i shprishur ndodhet kudo në kontinent. Mërgata është rritur për arsye natyrore gjatë këtyre viteve, por ajo herë pas here për të njejtat arsye ka humbur edhe ndonjë anëtar të saj. Kështu ndodhi me 21 maj të këtij viti kur Musa Tolaj, iku në amshim.
Musa Tolaj ishte njëri prej nesh, një mërgimtar me atdheun në shpinë. Ai u lind në vitin 1956 në katundin Pobërgj të Deçanit. Shkollën fillore e kreu në Dranoc, kurse të mesmen në gjimnazin “Vëllezërit Frashëri“ në Deçan, kurse studimet në fakultetin juridik i kreu në periudhën 1975-1979. Në vitin 1991 vendoset në Gjermani. Musa Tolajn e kam njohur si një aktivist të madh qysh në vitet 1994. Mund të them se mërgata shqiptare humbi një anëtar të dalluar, një atdhetar shquar dhe një pjesëtar aktiv në jetën publike të saj. Vendi i zbrazët që ka lënë ai pas vete do të mbetet zbrazët përjetësisht.
Musa Tolaj qysh në fillim të viteve 1990, pas vendosjes së tij në Gjermani, u bë anëtar is Partisë Unikomb, parti kjo që u angazhua për bashkimin kombëtar. Peisazhi partiak i shqiptarëve në Kosovë dhe në viset e tjera në ish Jugosllavi kishte shumë parti, por vetëm një parti në këtë kompleks, Unikombi, e kishte në program bashkimin e të gjitha trojeve etnike mbrenda një shteti kombëtar. Pas ndryshimeve të mëdha që erdhën si rezultat i shpërbërjes së Jugosllavisë dhe i ndërhyrjes ushtarake të NATO-së në Kosovë çështja e bashkimit kombëtar ndërroi formë, por ajo nuk u zhduk si opsion potencial. Nga pikëpamja politike realiteti i shtetit të Kosovës përbën një madhësi të painjorueshme. Për ne shqiptarët ky shtet do të thotë një zgjidhje e dobishme dhe me rrjedhoja pozitive e nyjës së Kosovës, mirëpo ky fakt në vetëvete nuk do të thotë se shqiptarët duhet të jenë të ndarë e të ftohtë ndaj njëri-tjetrit. Kufijt shtetëror që janë shtuar në hapësirën shqiptare pas shpërbërjes së ish Jugosllavisë nuk duhet shikuar si diçka absolute që medoemos na ndajnë. Paradoksi është se në këtë hapësirë ku janë shtuar kufijtë shtetëror kemi një integrim brendashqiptar si kurrë më parë. Ata mbeten gjithsesi kufij administrativë, por jo kufijë që shpërbëjnë tërësinë historike të kombit tonë. Gjithçka, në fund të fundit, varet nga ne. Kufijtë janë jashtë, fizikë, në natyrë, në shpirtin tonë ata kurrë nuk kanë depërtuar. Shqiptaria si njësi shpirtërore kurrë nuk është cënuar as në kohërar kur këta kufijë kanë qenë në funksionin r barrierave fizike që pengojnë komunikimin brendashqiptar. Këta kufijë janë respektuar si realitete fizike, por jo si realitete shpirtërore. Shpirti shqiptar i ka refuzuar ata gjithmonë. Edhe vendlindja e Musë Tolajt në një kuptim të gjerë i përkiste një zone të tillë kufitare.
Në Bashkimin Europian ku synojmë të integrohemi, çështja e kufijve shtetëror në rrjedhën e kohës është relativizuar shumë. Dikur kufijtë i ndanin njerëzit e popujt, madje ndërtoheshin dhe mure për t’i bërë ata më të dukshëm e më të frikshëm dhe kështu për ta materializiar këtë ndarje. Mjafton të kujtojmë Murin e Berlinit për të pasur një përfytyrim të saktë për këta përbindsha që synonin të hynin edhe në shpirtin e njeriut për ta tjetërsuar atë. Shteti i Kosovës i ka kufijtë e tij, por ata nuk janë në funksion të ndarjes dhe tëhuajësimit, shteti ynë ofron në parim mundësi të mëdha që kombi shqiptar të funksionojë në pikëpamje kulturore dhe identitare si një njësi e vetme, siç ka qenë gjithmonë. Përsa kohë që e drejta ndërkombëtare nuk na vë kufizimet e saj, ne duhet të jetojmë e punojmë si pjesëtar të një kombi të vetëm, siç jemi në fakt. E drejta ndërkombëtare në thelb nuk është kundër nesh. Qarqet e vogla dhe individët në mjedisin tonë që flasin herë pas here flasin për kombin kosovar, duhet t’i marrin seriozisht në synimet e tyre destruktive, por, në anën tjetër, nuk duhet të shqetësohemi shumë nga zhurma e tyre propagandistike, sepse ajo është zhurmë e zbrazët, pa efekt praktik. Rrënjët e këtyre ideve kundërshqiptare nuk është vështirë të identifikohen. Populli ynë e njeh mirë veten, historinë dhe ambiciet e disa vendeve fqinje që duan ta coptojnë në sa më shumë pjesë substancën tonë kombëtare në mënyrë që kështu të humbet kuptimi praktik i ekzistencës së saj. Definitivisht mund të thuhet se një komb i tillë, kombi kosovar, as ka ekzistuar, as ka për të ekzistuar kurrë. Shqiptarët nuk lejojnë zvogëlimin e kombit të tyre përmes krijesave artificiale. Puna e shtetit është diçka tjetër, një komb mund të ketë më shumë se një shtet. Shqiptarët nuk janë kombi i vetëm në botë me dy shtete. Musa Tolaj pikërisht në këtë perspektivë e shihte dhe e analizonte problemin shqiptar. Si jurist ai e kishte të qartë se ç‘është kombi e ç‘është shteti. Ndoshta pse e kishte parandjerë këtë rrezik, kishte vendosur t‘i bashkohej Unikombit.
Pas bombardimeve 79 ditore të Jugosllavisë dhe marrshimit të trupave të NATO-së në Kosovë në qershor të vitit 1999 kemi një ndryshim rrënjësor të gjeopolitikës rajonale, e cila këto ndryshime radikale me shpalljen e pavarësisë së kosovës me 17 shkurt 2008 i konfiguroi përfundimisht si një realitet që s’e pranon ende vetëm Serbia e Greqia e ndonjë vend tjetër europian me probleme me pakicat e tij etnike si dhe Rusia e aleatët e saj për arsyet e tyre gjeostrategjike.
Kryetar i Unikombit, i partisë ku bënte pjesë Musa Tolaj, ka qenë Ukshin Hoti, deri në burgosjen dhe vrasjen apo zhdukjen e tij. Ende edhe sot nuk dihet gjë e saktë se në çfarë rrethana vdiç ai. Afër Burgut të Dubravës është zbuluar një skelet njeriu pa kokë, por askush nuk thotë se ata eshtra janë të Ukshin Hotit. Ishte viti 1993 kur Musa Tolaj vendosi t‘i bashkohej këtij organizmi politik. Në këtë kohë Ukshin Hoti ende nuk ishte burgosur. Për hir të punës së Musa Tolajt dhe të përcaktimit të qartë politik të tij përsa i përket të ardhmes së kombit tonë dhe natyrisht, në rradhë të parë, për arsye të aftësive të tij profesionale, ai u zgjodh në organet më të larta të partisë në seksionin e diasporës. Disa vite më vonë, në vitin 1997 ai bëhet edhe anëtar i rregulltë i Fondit „Vendlindja thërret“ që mblidhte mjete financiare mes mërgimtarëve në diasporë për ta financuar luftën e armatosur të UÇK-së në Kosovë. Në këtë kohe Ushtria Çlirimtare e Kosovës nuk ishte një organizëm ushtarak që mbështetej nga i gjithë spektri politik. Madje kontestohej edhe ekzistenca e saj. Kishte parti e qarqe shoqërore që e kontestonin luftën e saj me motive e arsyetime të ndryshme. Një pjesë e këtyre njerëzve intimisht nuk kanë ndryshuar qëndrim edhe në ditët e sotme. Në popull vërtet ishte lëkundur shumë besimi se Kosova mund të fitonte statusin e saj shtetit të pavarur në mënyrë paqësore, por, në anën tjetër, nuk mund të thuhet se ky iluzion që e përjashtonte në mënyrë decidive luftën si mjetin e vetëm për çlirimin e viseve të pushtuara nga serbët nuk ishte i pranishëm te një masë jo e vogël popullore. Kishte shumë njerëz që ishin fiksuar pas opsionit paqësor, edhepse soldateska dhe policia serbe e aplikonin dhunën në formën më brutale të mundshme. Në këtë rrethana, mbështetja politike dhe financiare të UÇK-së nga ana e Musa Tolajt fiton shumë në peshë. Me kalimin e kohës, mbështetja e luftës sonë çlirimtare dhe e bartëses së saj, UÇK-së, u rrit shumë, por e vetëkuptueshme s‘u bë asnjëherë. Musa Tolaj kishte një instinkt të fortë kombëtar. Në çdo gjë ai shfaqej si shqiptar i mirëfilltë. Këtë gjë e kishte dëshmuar edhe në kohën kur punonte në Komunën e Deçanit.
Nëse e shikojmë kronologjinë historike të çështjes së Kosovës, atëherë vëmë re se ajo është një çështje e krijuar përmes dhunës ushtarake. Opsioni ushtarak flet gjithmonë kundër logjikës juridike. Mbështetja e Serbisë nga Rusia cariste dhe, më pas, pas rënies së saj si perandori, mbështetja që mori Serbia nga disa fuqi perëndimore për shkak të aleancës ushtarake të saj në Luftën e Parë Botërore çuan te Mbretëria e Serbëve, Kroatëve dhe Sllovenëve, përkatësisht Mbretëria e Jugosllavisë. Shqiptarët, hungarezët dhe gjermanët që përbënin një përqindje të madhe të popujve josllavë megjithatë bënin pjesë në këtë mbretëri që që në krye të herës problemin e pakicave etnike përpiqej ta zgjidhte përmes dëbimeve, jo gjithëherë pa sukses.
Pushtimi i Kosovës ndodhi në Luftën e Parë Ballkanike kur gjithë hapësira shqiptare ishte ende pjesë e Perandorisë Osmane. Musa Tolaj si jurist nuk mund ta pranonte pushtimin e një pjese të vendit të tij si diçka legale. Siç dimë nga historia, Perandoria Osmane qe pajtuar më në fund për t‘i dhënë një zgjidhje politike problemit shqiptar në perandori përmes konstituimit të shtetit autonom shqiptar që do të përfshinte brenda tij të gjitha territoret shqiptare ku ata bënin shumicën etnike, çka do të thoshte se në kuadër të shtetit autonom shqiptar do të futeshin katër vilajetet osmane. Ishte një zgjidhje shumë afër realizimit të saj, mirëpo Serbia e pa veten të papërfillur në synimet e saj ekspansioniste, ndaj dhe ajo bashkë me Malin e Zi i shpallën luftë Turqisë, menjëherë kësaj lufte iu bashkëngjit edhe Greqia. Kështu politika sa happy e mbyllë sytë u kthye në luftë. Pikërisht këto tre shtete kishin synime të drejtpëdrejta në territorin shqiptar. Me Rusinë në prapavijë dhe interesat gjeopolitike të disa shteteve të mëdha, monarkitë ballkanike ia dolën të krijojnë një situatë të tillë gjeopolitike ku shqiptarët në vazhdimësi duhet të bënin kujdes, sepse ishin të rrezikuar ekzistencialisht. Mund të thuhet se faktori shqiptar me këtë luftë humbi shumë në peshën e tij specifike. Një pjesë e jo e vogël e hapësirës shqiptare u zbraz nga elementi etnik shqiptar që nga koha e Krizës Lindore e vitit 1878 dhe Shqipëria u rrudhë si hapësirë etnike. Pikërisht këto fakte luajtën rol të madh në përcaktimin e Musa Tolajt për anëtarësimin në Uninomb në vitet 1990. Shqiptarët nuk e njihnin vetëveten dhe vendin ku jetonin. Pa këtë njohje, ata nuk mund të ndryshonin kurrëgjë.
Nderim jetës dhe veprës atdhetare të Musa Tolajt!
Autori është ish-diplomat karriere dhe shef i Konsullatës së Kosovës në Stuttgart të Gjermanisë dhe Vjenë të Austrisë.