Mushkolaj: Postimi i Sveçlës për pagat e policëve që protestuan është gënjeshtër, nuk i marrin 2 mijë e 200 euro
Analisti politik, Imer Mushkolaj, ka reaguar ndaj një postimi të ministrit të Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, i cili tha se njësia policore që protestoi sot, pagën mesatare e ka 2 mijë e 200 euro.
Sipas Mushkolajt, ky postim i Sveçlës është manipulativ dhe nuk i tregon të gjitha faktet. Mushkolaj, në “Debat Plus” tha se ministri nuk ka treguar cila është paga bazë e policëve dhe sa janë paguar orët shtesë apo mbi normë.
Mushkolaj tha se ministri gënjeu kur tha se policët që protestuan sot marrin pagë 2 mijë e 200 euro.
“Propaganda e tij krijon përshtypjen se këta njerëz marrin 2 mijë e 200 euro, është rrenë, këtë duhet me demasku, këta njerëz nuk i marrin 2 mijë e 200 euro. Kjo mund të arrihet në situata të jashtëzakonshme si ka qenë kjo e fundit”.
“Ka qenë pamje e rëndë protesta, nuk kam pritur ta shoh një gjë të tillë. Kërkesat e tyre janë kërkesa bazike dhe jo që nuk munden me u plotësu. Postimi i Sveçles është manipulativ, nuk na tregon cila është paga bazë e policëve, nuk na tregon çfarë shtesa marrin, nuk na tregon sa pare u paguhen orët mbi normë. Nëse Svecla nai kishte zbërthyer këto të ardhura mujore që mund të kalojnë 2 mijë, do të ishte tjetër situatë. E ka bërë me qëllim një status manipulativ, për të krijuar mjegull”, tha ai.
“Kur po them manipulativ, se kompensimet për orë përtej normës janë prezantuar si të ardhura mujore dhe kjo nuk është sqaruar. Svecla është dashur të jetë më konkret dhe t’i japë përgjigje kërkesave të policisë apo edhe të kategorive të tjera”, vijoi Mushkolaj.
Tutje, Mushkolaj e kritikoi Lëvizjen Vetëvendosje për përdorim të gjuhës linçuese ndaj kategorive që po shprehin pakënaqësi ndaj Qeverisë së Kosovës.
“Ditëve të fundit si ndodh rëndom kur ka protesta apo pakënaqësi, pushteti ka përdorur gjuhë linçuese, edhe ka provuar që gjithë këta zëra sindikalë t’i lidhë me diçka. Si në të kaluarën që mjekët e arsimtarët janë të shtyrë prej regjimit të vjetër, tash prapë po vazhdojnë me të njëjtën logjikë. Asnjë kategori e shoqërisë për VV-në s’qenka kategori që ka nevojë për përmirësim të kushteve, por medoemos lidhen me diçka”, tha ai.
Mushkolaj theksoi se partia në pushtet nuk duhet t’i etiketojë dhe linçojë sindikatat dhe këdo që shfaq pakënaqësi për kushte më të mira.