Mushkolaj: Qasja e Qeverisë së Kosovës ndaj Policisë është denigruese
Analisti politik, Imer Mushkolaj, e ka kritikuar Qeverinë e Kosovës, në lidhje se si po trajtohet Policia e Kosovës.
Mushkolaj në “Debat Plus” tha se Qeveria aktuale e ka përgjegjësinë e plotë të merret me kushtet e Policisë.
Sipas Mushkolajt, qasja e Qeverisë është denigruese karshi këtij institucioni.
“Qeveria aktuale e ka përgjegjësinë kryesore të merret me policinë, qasja e saj është denigruese për policinë. Nuk mundesh të dalësh ta vizitosh Policinë, të postosh në FB fotografi, e kur vjen puna me vendos, nuk merr asnjë vendim që e përmirëson pozitën e djemve e vajzave që shërbejnë dhe japin kontribut”, tha ai.
Mushkolaj tha se Policisë i nevojiten paga më të mira, sigurim shëndetësor e shtesa për rrezikshmëri.
“S’po flasim vetëm për shpërblim, kemi probleme sistematike, që pushteti dhe të kaluarit e kanë pasur karshi Policisë… Po flasim për çështje më të rëndësishme, për paga, sigurim shëndetësor, për shtesa të rrezikshmërisë”, tha ai.
Tutje, ai e kritikoi edhe vendimin e presidentes Vjosa Osmani, e cila i ftoi pjesëtarët e Policisë në “Darkën e Lamës”.
“Simbolikat koti, po e shtrojmë darkën e Lamës në kampin e Policisë, nuk qojnë peshë. Qon peshë përmirësimi i kushteve të punës. Punë e madhe nëse thirren në darkën e Lamës. Na mbytën simbolikat, për simbolika jemi në vend të parë. Neve na nevojiten vendime…”, tha ai.