‘Musine Kokalari’ publikon hulumtimin për trajtimin e politikave sociale nga ana e Kuvendit

27 prill 2022 | 17:34

Instituti për Politika Sociale “Musine Kokalari” ka publikuar numrin e pestë të raportit tremujor “Mbikëqyrësi social – Angazhimi i institucioneve për politikat sociale”, mbi monitorimin e punës dhe angazhimin e institucioneve të Republikës së Kosovës dhe përfaqësuesve të qytetarëve, për politikat sociale.

Gjatë muajve janar, shkurt dhe mars 2022, deputetët e Kuvendit të Republikës së Kosovës kanë ngritur gjithsej 91 herë çështje nga fusha sociale në seanca parlamentare.

Kjo duke përfshirë deklarimet jashtë rendit të ditës, pyetjet parlamentare dhe çështjet që janë lidhur me projektligje të caktuara.

“Qasja në shërbimet thelbësore”, “Dialogu social dhe përfshirja e punëtorëve” dhe “Barazia gjinore” kanë qenë parimet që janë diskutuar më së shumti,  ndërsa parimi “Edukim dhe trajnim për tregun e punës” nuk është diskutuar asnjëherë gjatë kësaj periudhe.

Diskutimet në seancat parlamentare kanë qenë objektivisht të përcaktuara nga rrethanat e krijuara për shkak të krizës ekonomike që për pasojë ka çuar në rritjen e çmimeve të produkteve ushqimore, por edhe të energjisë elektrike.

Arsyeja se pse parimi i barazisë gjinore figuron si një nga temat më të përmendura lidhet me seancën e mbajtur për Ditën Ndërkombëtare të Gruas. Jashtë kësaj seance, çështjet që prekin barazinë gjinore janë diskutuar vetëm dy herë.

Pastaj diskutimi parlamentar që është bërë lidhur me draft-Kodin Civil dhe rregullimin e marrëdhënieve familjare, përkatësisht bashkësisë civile mes personave me seks të njëjtë. Diskutimi ka shkuar deri në përdorimin e hapur të gjuhës së urrejtjes dhe stigmatizimit ndaj personave LGBTQI+. Kryesisht në diskutim kanë marrë pjesë deputetët e LV-së, ku grupi parlamentar ishte i ndarë për këtë çështje. Për sa kohë që grupi parlamentar i AAK-së dhe grupi multietnik kanë qenë hapur dhe shprehimisht kundër që qytetarët e Kosovës ta gëzojnë këtë të drejtë, grupi parlamentar i PDK-së dhe ai i LDK-së kanë mbajtur pozicion abstenues karshi çështjes duke e arsyetuar pozicionin e tyre me faktin që grupi më i madh parlamentar (i partisë që ka pushtetin) nuk i ka votat e mjaftueshme për ta kaluar ligjin.

Këto janë të gjeturat e hulumtimit “Mbikëqyrësi social – Angazhimi i institucioneve për politikat sociale”, ku Instituti për Politika Sociale “Musine Kokalari” ka monitoruar angazhimin e deputetëve në seancat plenare dhe në mbledhjet e pesë komisioneve parlamentare për periudhën e tremujorit të parë të këtij viti. Aktivitetin e deputetëve e monitorojmë në aspektin e asaj se sa dhe si i trajtojnë çështjet sociale – çështje këto të cilat ndërlidhen me dhjetë parimet e Shtyllës Evropiane për të Drejtat Sociale: Edukim dhe trajnim për tregun e punës, mundësi të barabarta, dialogu social dhe përfshirja e punëtorëve, mbështetje për të papunët, përfshirja e personave me aftësi të kufizuara, barazia gjinore, siguria në punë, kujdesi dhe mbështetja për fëmijët, të ardhurat dhe pensionet e pleqërisë, si dhe qasja në shërbimet thelbësore.

Sipas grupeve parlamentare, LV-ja  ka ngritur më së shumti çështje që lidhen me parimet: “Barazia Gjinore” dhe “Mundësitë e barabarta”. Grupi parlamentar i PDK-së, LDK-së dhe grupi multietnik më së shumti çështje që lidhen me parimin “Qasje në shërbimet thelbësore”, ndërsa grupi parlamentar i AAK-së më së shumti ka ngritur çështje rreth parimit “Dialogu social dhe përfshirja e punëtorëve”. Grupi parlamentar i LS-së nuk ka ngritur asnjë çështje që lidhet me parimet e ShEDS.

Ndonëse kanë dallim të madh në numër deputetësh, LV-ja (59) dhe PDK-ja (18), dallimi mes tyre është 2 për qind sa i përket aktivitetit parlamentar për çështjet sociale. LDK-ja (15 deputetë) renditet e treta me 17 për qind  të aktivitetit, e AAK-ja (8) me 12 për qind  të aktivitetit. Grupi multietnik (8 deputetë) me 3 për qind të aktivitetit, kurse Lista Serbe (11) me 0 për qind të aktivitetit.

Nga ana e tyre, komisionet parlamentare nuk kanë diskutuar asnjëherë për dialogun social dhe përfshirjen e punëtorëve, si dhe për mbështetjen për të papunët.

Në 34 mbledhje të  komisioneve parlamentare janë diskutuar 27 herë parimet nga ShEDS, e më së shumti për kujdesin dhe mbështetjen për fëmijët, mundësitë e barabarta, edukimin dhe trajnimin për tregun e punës dhe qasjen në shërbimet thelbësore.

Komisioni për të drejtat e njeriut që nga fillimi i këtij viti ka realizuar vazhdimisht takime me institucione të ndryshme për monitorimin e Ligjit për mbrojtjen kundër diskriminimit si dhe diskutime që trajtojnë problemin e dhunës në shkolla. Lidhur me këtë të fundit, Komisioni për Arsim ka organizuar një tryezë ku është diskutuar për integrimin e politikave dhe shërbimeve për trajtimin e dhunës ndaj fëmijëve në shkolla. Komisioni për Shëndetësi dhe Mirëqenie Sociale ka trajtuar vetëm çështje nga fusha e shëndetësisë dhe nuk ka prekur çështje të tjera sociale në këtë periudhë.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
28.04.2022 Punime të domosdoshme për siguri të sistemit Prishtinë 1.…