Muslija merr pasaportën e Kosovës
Florent Muslija bëhet me pasaportë të Kosovës, i gatshëm për ndeshjet e radhës
Anëtari më i ri i Përfaqësues së Kosovës, Florent Muslija tashmë ka kryer të gjitha procedurat e nevojshme në Ambasadën e Kosovës në Gjermani dhe gjatë kësaj jave do të pajiset me pasaportë të Kosovës. Muslija do të jetë i gatshëm për ndeshjet e radhës që “Dardanët” do t’i luajë në kuadër të kualifikimeve për Kampionatin Evropian 2020.
“Kryetari i FFK-së, Agim Ademi falënderon ambasadorin Beq Cufaj, stafin e Ambasadës, Ministrinë e Brendshme dhe të gjitha institucionet tjera që në raste të këtilla kanë konsideratë dhe i përshpejtojnë procedurat për marrje të nënshtetësisë së Kosovës për futbollistët që veshin fanellën ‘Dardane’. Po ashtu, një falënderim i veçantë edhe për përfaqësuesin e Kosovës në Gjermani, Fekmi Kongjeli, i cili ishte iniciator i bisedimeve që Florenti t’i bashkohet Kosovës”, thuhet në njoftimin e Federatës së Futbollit të Kosovës.
Florent Muslija është pjesë e Hannover 96 dhe është lojtar shumë i talentuar, i cili pa dyshim do të jetë një armë më shumë për përzgjedhësin Bernard Challandes në misionin për ta bërë ëndrrën realitet – kualifikimin në “Euro 2020”.
/Epoka e re/