Musliu ironizon me testimet e Urës së Ibrit: Edhe dy ditë dalin rezultatet
Pasi testimi për stabilitetin infrastrukturor të urës së Ibrit në Mitrovicë ka përfunduar, Qeveria e Kosovës, përkatësisht Ministria e Infrastrukturës është në pritje të raportit nëse ura është stabile për qarkullimin e automjeteve.
E, në lidhje me këtë ka ironizuar deputetja e Kuvendit të Kosovës nga radhët e Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Ganimete Musliu.
Ajo përmes një postimi në rrjetin social në Facebook ka publikuar një fotografi ku shihet vetë ajo dhe në sfond një punishte me mbishkrimin “Edhe dy tre dite dalin rezultatet e testit”.
Ndërkaq, dy ditë më parë edhe nënkryetarja e PDK-së, Vlora Çitaku përmes një postimi në rrjetin social në Facebook ka reaguar ndaj veprimeve të pakoordinuara të Qeverisë së Kosovës me aleatët ndërkombëtarë.