Musliu jep një sqarim pse e quajti “pulë e keqe” Vjosa Osmanin
Deputetja e Kuvendit të Kosovës nga Partia Demokratike e Kosovës (PDK-ja), Ganimete Musliu, gjatë ditës së djeshme ka përdorur një shprehje popullore për ta përshkruar kryeparlamentaren Vjosa Osmani. Në emisionin Frontal në T7, deputetja Musliu e ka përdorur krahasimin “pulë e keqe” për kryeparlamentaren Vjosa Osmani.
Por, pas kritikave bërë Musliut nga shumëkush, ajo sot ka thënë nuk e ka ofenduar Osmanin, porse ka përdorur një fjalë të popullore. “Perdorimin e nje fjale popullore mund ta quajnë ofendim vetëm ata që nuk kanë njohuri për thesarin tonë popullor. Fjalët e urta janë udhërrëfyes. Janë extrakt i nxjerrë nga përvoja e jetës”, ka shkruar ajo.
Deputetja e PDK-së ka deklaruar të hënën në Frontal se Osmani po e luan kartën e viktimizimit.
“Megjithatë, me një fjalë po e përmbledhi, ti je rritë në fshat unë në fshat, ato pulat e kqija që e kanë hangër drithin në shtëpi të vet, e vonë e kanë ba në kojshi s’kanë as të ardhme. E ardhmja e saj politike nuk është në ditët më të mira të saj”, ka thënë Musliu në “Frontal”.