Musliu: Kosova po e përjeton eksodin më të madh të historisë së saj, si pasojë e keqqeverisjes

08 qershor 2023 | 13:11

Deputetja e Partisë Demokratike të Kosovës, Ganimete Musliu ka kritikuar ashpër Qeverinë Kurti për mosveprim ndaj emigrimit masiv të qytetarëve të Kosovës.

“Sot ne kemi një qeveri e cila çdo ditë e më shumë po e groposë përfundimisht shpresën e qytetarëve dhe po e fakton se ndryshimin që e propaganduan e sollën, por e sollën për keq. Si rezultat i gjithë kësaj, me një politikë kaotike dhe pa përmbajtje në sfond, qytetarët tanë kanë marrë botën në sy. Kosova po e përjeton eksodin më të madh të historisë së saj. Po e përjeton në heshtje sepse tematizimi i tij nuk është në favor të qeverisë”, ka thënë deputetja Musliu në seancën e sotme të Kuvendit.

Ajo tha se emigrimi është revoltë e një populli kundër politikbërjës dhe kundër arrogancës së pushtetit, si rezultat i së cilës, Kosova sot ndodhet në mes të një katastrofe sociale kombëtare.

“Mjekë, mësues, ushtarë, policë, zjarrfikës, bankierë, avokatë, sipërmarrës, shtresat e mesme të arsimuara, qytetarë të cilët do të preferonin të qëndronin dhe të ndërtonin të ardhmen e tyre në Kosovë, sot, për shkak të bastardimit të sistemit dhe për shkak të zhvlerësimit të tyre profesional dhe personal kanë zgjedhur të braktisin vendin”, ka thënë Musliu.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Kryetari i Lëvizjes për Bashkim, Valon Murati, ka thënë sot…