Musliu kritikon Kurtin për mungesën e ministrave në seancë: Dikur e digjeshit Kuvendin
Deputetja e Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Ganimete Musliu është ankuar për mungesë të ministrave në pyetjet parlamentare të deputetëve të Kuvendit të Kosovës.
Madje, ajo i është drejtuar zëvendëskryeministrit Besnik Bislimi, të cilit i ka kërkuar të mos “zgërdhihet” por t’iu kërkojë ministrave të jenë të pranishëm në seancë.
Këtë reagim, Musliu e paraqiti për shkak të mungesës së ministrit të Mbrojtjes, Armend Mehaj gjatë pyetjes së saj në Kuvend.
“Ministrat të jenë më të përgjegjshëm ndaj pyetjeve parlamentare, duke marrë parasysh se e keni djeg parlamentin sa herë kanë munguar ministrat. Besnik Bislimi po zgërdhihet aty pak anash, por është e drejtë e jona t’iu bëjmë pyetje ministrave dhe ata e kanë obligim kushtetues”, ka thënë ajo.
Por kryetari i Kuvendit, Glauk Konjufca, ka thënë se në krahasim me legjislaturat e kaluara, përqindja e përgjigjeve të ministrave është rritur ndjeshëm.
“Krahasim me legjislaturat e kaluar përqindja e përgjigjeve është rritur ndjeshëm dhe mënyrë të kënaqshme. Por gjithmonë ka hapësirë për përmirësim. Po pajtohem”, ka thënë ai.