Musliu: Kurti nuk pranon t’i rrisë pagat, ai po u jep qytetarëve ushqim me lugë të vogël të makiatos
Deputetja e Partisë Demokratike të Kosovës, Ganimete Musliu sonte në “Info Magazine” në Klan Kosova tha se kryeministri Albin Kurti nuk pranon t’i rrisë pagat.
Ai ka thënë se Kurti me subvencionimin prej 100 eurosh nuk po bën zgjidhje afatgjate.
“Albin Kurti nuk pranon t’i rrisë pagat, cila është zgjidhja, sot ku kanë përfunduar 100 eurot, po e marrim shembull i kanë marrë familjet ose fëmijët i kanë marrë 100 euro këtë fundmuaj, të gjitha këto kanë përfunduar në markete, nuk ka zgjidhje afatgjate”.
“Çka mund të bëhet sot me 100 euro në muaj, përveç që të mbushësh një shportë ushqimore për, 4-5 ditë, kjo nuk është zgjidhje”, është shprehur ajo.
Tutje, Musliu u shpreh se kryeministri Kurti po u jep qytetarëve ushqim me lugë të vogël të makiatos.
“Albin Kurti po u jep qytetarëve të Republikës së Kosovës ushqim as me lugë të çajit, me lugë të vogël të makiatos. Kjo është një vrasje për qytetarët e Republikës së Kosovës, kur e them vrasje është vrasje e shpresës e qytetarëve të cilët i kanë besuar Albin Kurtit më 14 shkurt 2021, i cili i ka mashtruar se kur të vijë në pushtet do të bëjë mrekulli”, u shpreh tutje ajo.