Musliu: Marre për Albin Kurtin, me paratë e pensionistëve, mjekëve e policëve pagoi rrymën e serbëve të veriut
Deputetja e Partisë Demokratike të Kosovës, Ganimete Musliu ka thënë sot në seancë plenare se është e turpshme për qeverinë e udhëhequr nga Albin Kurti e cila ndali ndihmat e pandemisë për pensionistët, policët e stafin shëndetësorë dhe ato mjete i shpenzoi për t’ua paguar rrymën serbëve në veri të Kosovës.
Ajo tha se vendimin e Qeverisë për uljen e shtesave, janë fyer dhe është zhvlerësuar puna e policëve, punëtorëve shëndetësor, dhe është prekur dinjiteti i rreth 180 mijë pensionistëve prej tyre 140 mijë pensionistëve bazik që marrin pension social.
Fjala e plotë e deputetes Ganimete Musliu:
Përderisa gjatë periudhës së pandemisë, kemi parë se si vendet e rajonit kanë miratuar masa ekonomike të shumta e në disa faza, me qëllim të rimëkëmbjes së ekonomive të tyre, fatkeqësisht qeverisja e Kurtit e cila në këtë periudhë pandemie ka qeverisur më shumë se gjashtë muaj, sigurisht që është përgjegjëse shumë e madhe për dështimet e shënuara në shumë sektorë, prej tyre edhe në sektorin e ekonomisë.
Për gjendjen e rëndë të krijuar si pasojë e pandemisë, kjo qeveri jo vetëm se nuk ka dijen dhe guximin që të ballafaqohet me menaxhimin e situatës, po ajo nuk e ka as dijen dhe guximin që të zbatoj ligjin e vetëm që vitin e kaluar e miratuam, pra Ligjin për Rimëkëmbjen Ekonomike.
E ne sot, po flasim për vendimet e kësaj qeverie, që i mori një muaj më parë, ku ndër të tjera ishte edhe heqja e shtesave për punonjësit e shëndetësisë, pensionistëve dhe policëve, zyrtarëve korrektues e të doganave të Kosovës.
Në vend se të rritej mbështetja ekonomike e financiare për ekonominë e goditur nga pandemia dhe për mjekët e punëtorët shëndetësorë, për policët e doganierët, për pensionistët e kategoritë e tjera, ndodhi e kundërta – qeveria përgjysmoi ndihmën për disa kategori dhe i anuloi krejt për disa të tjera.
Si deputete dhe qytetare e kam marrë me shqetësim këtë vendim të qeverisë Kurti dhe e konsideroj skandaloz, dhe një goditje të madhe ndaj heronjve të pandemisë, mjekëve e punëtorëve shëndetësorë, ndaj gjyshërve tanë, e ndaj policëve që mbajnë rendin dhe zabtojnë ligjin çdo ditë, e të cilët fatkeqësisht kanë qenë më të rrezikuarit në këtë kohë të pandemisë.
Me vendimin e Qeverisë për uljen e shtesave, janë fyer dhe është zhvlerësuar puna e policëve, punëtorëve shëndetësor, dhe është prekur dinjiteti i rreth 180 mijë pensionistëve prej tyre 140 mijë pensionistëve bazik që marrin pension social.
Le ta dijnë edhe qytetarët se rreth gjysmë milionë euro mbështetje për zyrtarët e Shërbimit Korrektues, Inspektorët e AVUK-ut, Doganave dhe ATK-së janë anuluar nga qeveria Kurti.
Janë ndarë vetëm rreth 4 milionë euro për shtesa për sektorët e rrezikuar direkt nga pandemia, pra sektorin shëndetësor, ndërkaq më herët ishin paraparë 11 milionë euro. Pra, rreth 7 milionë euro më pak.
Për pagat në gastronomi, shtesat prej 50 % janë neto, ndërsa për mjekët, infermierët, policët këto shtesa janë bruto dhe atë të përgjysmuara.
Për skemat pensionale janë ndarë mjete 9 milionë euro më pak se sa ishin ndarë me vendimin e mëparshëm e të anuluar.
Pra me këtë logjikë qeverisëse, Qeveria Kurti me vetëdije po e qon drejt kolapsit ekonominë e vendit, po humb vende pune e po rrezikon mijëra familje.
Me këtë logjikë, Qeveria Kurti po i lë pa përkujdesje shtetërore mjekët, punëtorët shëndetësorë e pensionistët, si disa nga kategoritë më të rrezikuara nga pandemia.
222 milionë e katërqind mijë euro, të parapara për zbutjen e situatës me pandemi, të miratuar në Ligjin për Rimëkëmbje Ekonomike, janë zëvendësuar me masa përjashtuese e përçmuese nga qeveria Kurti.
Mungesa e dorës së shtetit fatkeqësisht po ndjehet çdo ditë dhe në çdo familje të Kosovës.
Megjithatë, mos të harrojmë, ne fakt kjo qeveri dhe shumicë parlamentare e kanë marrë nje vendim. Por e dini cili është ai. Është vendimi kundërkushtetues për pagesën e rrymes ne veri.
Ky pushtet para 1 muaji ndali shtesat prej 30 euro për pensionistët ndërsa një javë më pas mori vendim për t’i ndarë 11 milionë euro për pagesën e rrymës në veri të vendit. Pra qeveria Kurti 1 dhe Qeveria Kurti 2 ka ndarë në total 21 milionë euro për vitin kalendarik dhjetor 2020 – dhjetor 2021.
Këto para të ndara nga buxheti i Kosovës fatkeqësisht po e mirëmbajnë krimin në veri të vendit dhe strukturat paralele atje.
Si dhe financimin e aktiviteteve të paligjshme dhe kriminale për prodhimin e kriptovalutave ku kohëve të fundit ka një rritje të madhe.
Pra, kemi një qeveri dhe parti si Lëvizja Vetëvendosje që i nënshtrohen pa kushte ndaj Serbisë e strukturave kriminale atje edhe pse për 20 vjet e kanë gojën plot kundër Sebrisë.