Musliu: Në ditët e para të këtij viti mbi 20 ushtarë e lanë FSK-në, kjo qeveri meriton të rrëzohet me dhunë
Deputetja e Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Ganimete Musliu, ka thënë se qeveria Kurti e cila nuk është në gjendje ta ngopë popullin e bukë, nuk mund ta bind ata për t’i mobilizuar për luftë.
Musliu në Kuvendin e Kosovës, ka bërë me dije se vetëm në ditët e para të këtij viti mbi 20 ushtarë e kanë lënë FSK-në.
“Një popull që s’po mund ta ngopë me bukë, nuk do ta mund ta mobilizojë, ashtu siç po thërret për luftë. Sot kur po flasë në këtë foltore për 17 ditë që kanë kaluar të këtij viti, mbi 20 ushtarë të FSK-së janë demobilizuar. Dhe, numri është në rritje çdo ditë”, ka thënë ajo pasi ka lexuar mesazhin e një qytetari i cili i është ankuar asaj se “s’po mund t’i ushqejë familjarët, e lëre më t’i paguajë faturat e energjisë elektrike”.
Në këtë kontekst, Musliu ka kërkuar nga qytetarët që ta marrin guximin të protestojnë, duke shtuar se qeveria Kurti meriton të rrëzohet edhe me dhunë.
“Qytetarë të Republikës së Kosovës, nëse qytetarët e Gjermanisë marrin guximin, kurajon të dalin dhe të protestojnë për të drejtat e tyre, pse ju nuk guxoni të dilni t’i kërkoni të drejtat tuaja? Kjo qeveri e meriton me dhunë, qysh ka ardhur në pushtet, me dhunë të shkojë te shtëpia”, ka thënë Musliu. /EO