Musliu: Procesi që ka filluar në Hagë, i montuar politikisht nga Serbia dhe bashkëpunëtorët e saj në Kosovë
Deputetja e Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Ganimete Musliu, në një intervistë dhënë gazetës “Epoka e re” ka theksuar se i gjithë procesi që ka filluar në Hagë është një proces i montuar politikisht nga Serbia dhe bashkëpunëtorët e saj në Kosovë.
“Se si do të ecën, unë nuk mund ta them por ajo që e them me bindje të plotë është se drejtësia gjithmonë do të triumfojë, edhe atëherë kur qëndron mbi sakrifica të mëdha, edhe atëherë kur qëndron mbi sfida të rënda, në fund drejtësia do të dalë në pah dhe ata që kanë kontribuar në ngritjen e kësaj gjykate do të mbesin në anën e errët të historisë sonë më të lavdishme”, ka thënë deputetja Musliu, e cila ka qenë kundër themelimit të Gjykatës Speciale.
E pyetur se sa ka qenë dhe sa është Qeveria e Kosovës në nivelin e detyrës për t’i mbështetur drejtuesit e UÇK-së në Hagë.
Musliu ka thënë se qasja e kësaj qeverie ndaj eprorëve të Ushtrisë Çlirimtare dhe ndaj procesit të Hagës në përgjithësi është turpi më i madh i saj.
“Kjo qeveri nuk është se mund të krenohet me ndonjë veprim, por qasja ndaj eprorëve të Ushtrisë Çlirimtare dhe ndaj procesit të Hagës në përgjithësi është turpi më i madh i tyre. Kjo qeveri nuk ka treguar as respektin minimal njerëzor e mos të flasim për obligimin e tyre institucional të cilin as që e kanë konsideruar fare. Qeveritarëve tanë nuk ua bënë zemra as që t’i përmendin e lërë më të angazhohen institucionalisht rreth asaj që po ndodhë në këtë gjykatë të ndikuar politikisht. Po e përsërisë edhe një herë, kemi të bëjmë me një qeveri që ka dështuar në çdo segment. Për të mirën e të gjithëve, uroj që të reflektojnë dhe të ndërrojnë qasjen e tyre sepse nuk jam e sigurt nëse ky popull do të vegjetoj edhe dy vitet e ardhshme”, është shprehur Musliu.
Intervistë / Musliu: Osmani, Konjufca dhe Kurti, trinom i rrezikshëm për Kosovën – Epoka e Re