Musliu: Qeverinë mund ta rrëzojë vetëm pozita

07 tetor 2018 | 12:17

Deputetja e Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Ganimete Musliu, ka mohuar çdo mundësi që Qeverinë aktuale ta rrëzojë opozita.

Ajo ka deklaruar se subjektet opozitare nuk i kanë numrat e nevojshme për ta rrëzuar Qeverinë Haradinaj.

Në këtë intervistë dhënë për gazetën “Epoka e re”, Musliu ka thënë se Qeveria mund të bjerë vetëm nëse dëshirojnë subjektet e koalicionit qeverisës.

“Qeverinë mund ta çojë në shtëpi vetëm koalicioni qeverisës, pra pozita. Asnjëherë këtë Qeveri nuk mund ta rrëzojë kjo opozitë. Besoj se për këtë janë të vetëdijshëm opozita dhe opinioni publik. Më vjen keq që opozita me këto pretendime po i manipulon qytetarët e Kosovës. Pra, rrëzimi i Qeverisë ndodh vetëm nëse ndonjëra prej partive të koalicionit qeverisës merr vendim për këtë çështje, pastaj të bashkëpunojë me partitë opozitare”, ka thënë Musliu.

Ajo ka deklaruar se paralajmërimet e opozitës se do të ngrehin mocion mosbesimi ndaj Qeverisë janë vetëm përpjekje sa për ta tërhequr vëmendjen e opinionit.

“Pyeti secilin deputet të opozitës se si rrëzohet Qeveria, ata do të thonë se për ta arritur këtë qëllim duhet t’i kenë 61 vota. Sikur t’i kishin këto vota ata nuk do të kishin nevojë ta rrëzonin Qeverinë, sepse do ta formonin që në fillim të mandatit, për çka edhe kanë tentuar. Kështu që, tani për tani opozita e ka të pamundur ta rrëzojë Qeverinë. Kur e kemi parasysh se ata e dinë që këtë e kanë të pamundur, kjo nismë nuk mund të quhet serioze”, është shprehur ajo.

Musliu ka lavdëruar Qeverinë Haradinaj duke thënë se vetëm për tre muaj ky kabinet qeveritar ka bërë sa Qeveria e kaluar në gjithë mandatin e saj.

“E kënaqur është fjalë e madhe, mirëpo mund të them se kjo Qeveri është më dinamike dhe më në rrugë të mbarë sesa Qeveria e kaluar, e cila është udhëhequr nga LDK-ja”, ka thënë ajo. Sipas Musliut, në këtë performancë të mirë të ekzekutivit po ndikon edhe puna e ministrave të PDK-së.

“Sa i përket anës së brendshme të PDK-së, besoj se tashmë është e qartë edhe për opinionin se PDK-ja nuk ka asnjë luhatje apo tundime brenda saj. Ajo që dihet është se gjithë ministrat e PDK-së deri më tani kanë treguar një performancë të jashtëzakonshme. Besoj shumë se kjo performancë e mirë e tyre në të mirë të vendit do të vazhdojë deri në fund të mandatit”, ka theksuar Musliu.

“Epoka e re”: Znj. Musliu, liderët e dy partive opozitare kanë paralajmëruar se po bëhen gati për ta rrëzuar Qeverinë me mocion mosbesimi. Cili është komenti juaj për këtë iniciativë?
Musliu: Këto përpjekjeje të tyre kanë për qëllim vetëm për ta tërhequr vëmendjen e opinionit, për çka edhe po ia arrijnë. Tek ne është bërë traditë që të mos shikojmë shumë se kush çka po punon, po kush çka po dëmton më shumë. Në këtë mënyrë, duke paralajmëruar mocion mosbesimi ndaj Qeverisë, ata vetëm po përpiqen t’ia tërheqin vëmendjen opinionit, asgjë më shumë.

“Epoka e re”: Mendoni se ata nuk e kanë seriozisht këtë iniciativë?
Musliu: Ata edhe mund ta kenë seriozisht, por e rëndësishme është se opozita ia di hallin vetes dhe është e vetëdijshme se nuk i ka numrat e nevojshëm për ta rrëzuar Qeverinë. Pyeteni secilin deputet të opozitës se si rrëzohet Qeveria dhe ata do të thonë se për ta arritur këtë qëllim duhet t’i kenë 61 vota. Sikur t’i kishin këto vota ata nuk do të kishin nevojë ta rrëzonin Qeverinë, sepse do ta formonin në fillim të mandatit, për çka edhe kanë tentuar. Kështu që, tani për tani opozita e ka të pamundur për ta rrëzuar Qeverinë. Kur e kemi parasysh se ata e dinë që këtë e kanë të pamundur, kjo nismë nuk mund të quhet serioze.

“Epoka e re”: Pra, nuk i frikësohen një mocioni të tillë?
Musliu: Nuk i frikësohem dhe pres rezultat tjetër pos dështimit të kësaj iniciative. Thjesht, në këtë drejtim po përpiqen ta pengojnë punën e Qeverisë dhe ta manipulojnë opinionin publik, por nuk mund të ketë rrëzim të Qeverisë asnjëherë nga kjo opozitë.

“Epoka e re”: Në fakt, edhe opozita thotë se kjo është një Qeveri që nuk e ka shumicën e mjaftueshme për ta qeverisur vendin.
Musliu: Kjo është matematikë. Nëse ata mendojnë se ne nuk e kemi shumicën, atëherë le ta bëjnë ata shumicën dhe ta rrëzojnë Qeverinë. Përderisa ata nuk e kanë shumicën për ta rrëzuar këtë Qeveri, i bie se ne e kemi shumicën për ta vazhduar qeverisjen. Kjo është çështje numrash.

“Epoka e re”: Në qeverisjen e kaluar opozita edhe më me pak numra kishte iniciuar një mocion, pastaj me përkrahjen e PDK-së e ka rrëzuar Qeverinë. Nëse kemi një mocion mosbesimi nga opozita, mund të presim që ndonjë deputet i PDK-së ta përkrahë këtë mocion?
Musliu: PDK-ja është një parti që ka një traditë në organizimin e saj dhe, mbi të gjitha, ka interesin kombëtar. Kjo parti iu përgjigjet situatave të caktuara dhe shpeshherë kur ka qenë në pyetje interesi i Kosovës, ka vendosur në dëm të vetes. Derisa kemi një koalicion qeverisës funksional, personalisht si deputete dhe si anëtare e Kryesisë së PDK-së nuk shoh ndonjë arsye për ta përkrahur një mocion të tillë.

“Epoka e re”: Kjo i bie se Qeveria mund të rrëzohet vetëm nëse duan partnerët e koalicionit qeverisës me marrëveshje?
Musliu: Qeverinë mund ta çojë në shtëpi vetëm koalicioni qeverisës, pra pozita. Asnjëherë këtë Qeveri nuk mund ta rrëzojë kjo opozitë. Besoj se për këtë është e vetëdijshme opozita dhe opinioni publik. Më vjen keq që opozita me këto pretendime po manipulon qytetarët e Kosovës. Pra, rrëzimi i Qeverisë ndodh vetëm nëse ndonjëra prej partive të koalicionit qeverisës merr vendim për këtë çështje, pastaj të bashkëpunojë me partitë opozitare. Mendimi im është se tani zgjedhjet nuk janë zgjidhje, duke pasur parasysh se ato do ta sillnin produktin e njëjtë. E kam thënë më herët, se do të isha për zgjedhje të reja vetëm nëse vendosim që ne 120 deputetët që jemi tani në Kuvend të mos kandidojmë, në mënyrë që pastaj zgjedhjet të sillnin diçka të re. Përndryshe, pse duhet të shkohet në zgjedhje me njerëz të njëjtë.

“Epoka e re”: Cili është vlerësimi juaj për Qeverinë Haradinaj?
Musliu: Qeveria aktuale përbëhet nga një koalicion i gjerë. Me gjithë respektin që kam për ish-kryeministrin Mustafa, sa ka bërë ai në mandatin e tij, Qeveria Haradinaj ka bërë vetëm brenda tre muajve të mandatit të saj. Kjo Qeveri e ka dinamikën e duhur dhe vullnetin politik për të punuar dhe për t’i çuar proceset përpara. Shpresoj të ecim tutje edhe në proceset e tjera. Siç dihet, u dashtë të vijë kjo Qeveri për ta miratuar demarkacionin me Malin e Zi, sepse Qeveria e kaluar nuk mund ta kalonte ani pse kishim shumë numra. Po ashtu, edhe për projektligjet për transformimin e FSK-së kishim pengesa në atë Qeveri, kurse tani me këtë Qeveri transformimi i FSK-së në ushtri po bëhet realitet. Kam thënë edhe në Kuvend, në fund të mandatit të kaluar, se këtij vendi nuk i duhen liderë që nuk kanë guxim të marrin vendime.

“Epoka e re”: Domethënë PDK-ja është e kënaqur me këtë qeverisje?
Musliu: E kënaqur është fjalë e madhe, mirëpo mund të them se kjo Qeveri është më dinamike dhe më në rrugë të mbarë sesa Qeveria e kaluar, e cila është udhëhequr nga LDK-ja.

“Epoka e re”: Së fundi kemi parë një ofrim të dorëheqjes nga një ministër i PDK-së, derisa në medie është raportuar se ka pasur gatishmëri që edhe ministra të tjerë të PDK-së të ofrojnë dorëheqje. A është kaluar kjo situatë në PDK?
Musliu: Sa i përket anës së brendshme të PDK-së, besoj se tashmë është e qartë edhe për opinionin, se PDK-ja nuk ka asnjë luhatje apo tundime brenda. Ajo që dihet është se të gjithë ministrat e PDK-së deri më tani kanë treguar performacë të jashtëzakonshme. Besoj shumë se kjo paraqitje e mirë e tyre në të mirë të vendit do të vazhdojë deri në fund të mandatit.

“Epoka e re”: A është PDK-ja e gatshme për zgjedhje të reja meqenëse, siç dihet, kjo parti është në proces të zgjedhjeve të brendshme?
Musliu: PDK-ja është në proces zgjedhor të brendshëm. Siç dihet, me sukses e kemi përfunduar procesin zgjedhor të Rinisë Demokratike të Kosovës, ku ka pasur një garë të hapur dhe transparente, duke angazhuar shumë kuadro të reja. Pas këtij procesi të suksesshëm, ne jemi në fazën kur duhet të kemi zgjedhje të brendshme, sepse e kemi mbushur mandatin si struktura. Shpresoj se zgjedhjet e brendshme do të shkojnë në mënyrën e duhur, sepse kemi një organizim adekuat dhe kemi një ekip që është duke punuar fort për mbarëvajtje të këtij procesi. Po ashtu, shpresoj shumë se ky proces do ta nxjerrë edhe më të fuqishme PDK-në. Nëse flasim për zgjedhje të parakohshme, gjë që unë nuk pres se do të ketë, PDK-ja është e gatshme në çdo kohë për këtë proces.

Muhamet KOCI

 

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Një vajzë tetëvjeçare në Suedi ka gjetur gjatë verës së…