Musliu: Raport i Progresit, flakaresh i fortë për qeverinë Kurti
Deputetja e PDK-së, Ganimete Musliu, ka kritikuar ashpër Qeverinë e Kosovës për të gjeturat në Raportin e Progresit.
Në debatin parlamentar në lidhje me Raportin e Komisionit Evropian për Kosovën për vitin 2023, ajo ka thënë se raporti tregon qartë mungesën e përgjegjësisë dhe të seriozitetit të këtij pushteti.
“Në raport thuhet: ‘Kuvendi i Kosovës karakterizohet me mungesë kuorumi edhe pse Qeveria mbështetet në një shumicë parlamentare. Kuvendi shpesh ka dështuar të votoj projektligje dhe të mbaj mbledhjet e komisioneve e seancat plenare për shkak të mungesës së kuorumit dhe bojkotit edhe pse Qeveria vazhdon të mbajë shumicën në Kuvend. Gjithashtu ka dështuar të bëjë emërimet e nevojshme në organet publike për një kohë të gjatë dhe për rrjedhojë nëpër institucione të pavarura po mbesin pozitat vakante’. Tutje raporti i progresit thotë: ‘Kuvendi duhet të përmirësoj menaxhimin e brendshëm, të funksionalizoj votimin elektronik dhe të hartoj planin vjetor të punës’. Të them të drejtën kur e lexon raportin se din njeri a me qesh a me qajtë. Ky përshkrim tregon qartë mungesën e përgjegjësisë dhe të seriozitetit të këtij pushteti me institucionin më të lartë në vend, me institucionin nga i cili marrin drejtim të gjitha institucionet dhe agjendat shtetërore. Ky përshkrim tregon shumë qartë, se kjo parti e ky pushtet po tallet me vendin dhe me te ardhmen tonë”, ka thënë Musliu.
Sipas saj, raporti është një flakaresh i fortë për qeverinë.
“Mos funksionalizimi i Kuvendit tregon edhe instalimin e energjisë kriminale brenda institucionit më të lartë, duke shkaktuar mjegull sepse kështu arrihet më lehtë implementimi i kauzave shkatërruese dhe përçarëse të një personi i cili në pushtet paska ardhur me bindjen se të gjitha çështjet janë kryer dhe ky mjafton të tregoj përralla. Tani ky raport i progresit për vendin tone i jep një flakaresh të forte në fytyrë kësaj qeverie e cila përveç fjalë, rrena dhe propaganda për tre vjet qeverisje me shumicë votash, nuk ka arritur të shtyjë përpara asnjë nga premtimet e saj. Dhe kjo ngecje, i ka kushtuar Kosovës në të gjitha agjendat e saja kombëtare dhe ndërkombëtare”, ka thënë ajo.