Musliu: Rendimentet e grurit janë shumë të ulëta, subvencionet u vonuan
Deputetja e PDK-së, Ganimete Musliu, gjatë seancës së sotme të Kuvendit ka folur rreth rendimenteve të grurit dhe raportimeve se sivjet nevojat me grurë përmbushen veç 30 për qind.
Ajo ka thënë se raportimet nga terreni tregojnë se rendimentet e grurit janë shumë të ulëta dhe sipas saj, përpjekjet e ministrit të Bujqësisë, Faton Peci, për ta mohuar këtë fakt janë shqetësuese.
“Shifrat që raportohen nga terreni janë larg nga ministria që thotë se sasia e grurit përmbush mbi 70 për qind të nevojave. Sipas drejtuesve të Sindikatës së Bujqve dhe vet bujqve që punojnë tokat, rendimenti i sivjetëm nuk plotëson më shumë se 30 për qind të nevojave për këtë vit”.
“Faktorët që kanë ndikuar në ulje kaq drastike të rendimenteve dhe sipërfaqeve të grurit janë çmimi i lartë i farës, plehrave, pesticideve, naftës dhe vonesat e mbështetjes së subvencionimit me kohë”, është shprehur Musliu.
Musliu ka thënë se kjo gjendje do ta imponojë shtetin e Kosovës që të rritet sasia e importit dhe sipas saj “është mirë që kjo gjendje të mos neglizhohet nga qeveria por të bëjë plan konkret për sigurimin e rezervave të mjaftueshme të mielli deri në sezonin tjetër”.