Musliu-Shoshi i reagon Schwarz-it: Gafat e saj s’janë risi, ende se ka kuptuar që është ministre e Kosovës
Deputetja e PDK-së, Ariana Musliu-Shoshi, ka thënë se ministrja Donika Gërvalla ende se ka kuptuar që është ministre e Kosovës.
Përmes një postimi në Facebook, ajo ka thënë se gafat e Gërvallës s’kanë të ndaluar, derisa ministrit të jashtëm të Shqipërisë i drejtohet si ministër i Kosovës.
Postimi i saj i plotë:
Zonja Schwarz ende se ka kuptu që është Ministre e Kosovës! Gafat e saj nuk janë risi
Zonja Schwarz është Igli Hasani, Minister i Republikës së Kosovës apo Minister i Republikës se Shqipërisë???
Kujtojmë që më pas, postimi i ministres Gërvalla është përmirësuar në faqen e “Facebook-ut”.
Postimi i plotë i përmirësuar:
Me Ministrin Hasani në Dubovik
Në kuadër të vizitës së tij të parë zyrtare në Republikën e Kosovës, sot prita në Vërmicë, Ministrin për Evropë dhe Punë të Jashtme të Republikës së Shqipërisë, Igli Hasani.
Së bashku me homologun tim dhe dy delegacionet tona, mbrëmjen e kaluam në fshatin Dubovik, fshatin në të cilin familja Gërvalla me dekada të tëra ka pritur miq në kohë të mira e në kohë të vështira.
Ministrin Hasani e falënderova nga zemra për vizitën dhe bisedën shumë të ngrohtë dhe vëllazërore në Kullën e Gërvallajve, Shtëpinë Muze të Jusuf e Bardhosh Gërvallës. Mesazhi që përçon kjo vizitë në këtë vend dhe në prag të datës 17 janar, 42-vjetorit të atentatit në Gjermani, shkon shumë përtej një vizite zyrtare të një Ministri të Punëve të Jashtme në një vend fqinj.
Republika e Shqipërisë është partneri më i dashur dhe më i rëndësishëm i Republikës së Kosovës. Thellimi dhe forcimi i marrëdhënieve tona të shkëlqyeshme në të gjitha fushat, është jo vetëm amaneti i të parëve tanë, por i kontribuon zhvillimit të të dy vendeve tona dhe stabilitetit dhe paqes afatgjatë të rajonit tonë.
Nesër nga ora 09:00 do të kemi takimin në Ministrinë e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, ku pas takimit do të deklarohemi për mediat.