Musliu-Shoshi: Qeveria Kurti, e para pa asnjë vizitë në Shtëpinë e Bardhë

03 prill 2024 | 13:57

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka pasur së fundi një bisedë telefonike me ndihmëssekretarin amerikan të Shtetit, James O’Brien, me të cilin ka diskutuar për përmbushjen e zotimeve të dialogut të Bashkimit Evropian dhe çështjen e dinarit.

Lidhur me këtë bisedë e raportet Kosovë-ShBA dhe mungesa e komunikimit me Qeverinë ka folur deputetja e PDK-së, Ariana Musliu-Shoshi.

Ajo ka thënë se qeveria Kurti është qeveria e parë që s’ka pasur vizitë zyrtare në Shtëpinë e Bardhë, duke shtuar se shpreson që të mos përsëritet më një raport i tillë si tani me ShBA-në dhe qeverinë.

“Nuk kisha dashur të komentoj se me cilin i ka ShBA-ja marrëdhëniet më të mira, por ajo çfarë ne dimë është që është qeveria e parë që nuk ka pasur vizitë zyrtare në Shtëpinë e Bardhë. Kjo flet shumë për marrëdhëniet që i kanë me ShBA-në. Të gjithë e dimë kush është fajtori. Pse nuk na ftojnë? Të gjithë e dinë. Shpresoj që një qeveri e tillë në nivel të tillë të bashkëpunimit me aleatin tonë kryesor – ShBA-në të mos përsëritet asnjëherë”, ka thënë ajo për “Blic”.

Lidhur me një ftesë të mundshme për vizitë në Shtëpinë e Bardhë, Musliu-Shoshi, ka thënë se i gëzohen një lajmi të tillë, pasi është për të mirën e të gjithëve.

“Presidentja është përfaqësuese e politikës së jashtme dhe një vizitë e tillë do të na gëzonte të gjithëve, edhe neve si parti opozitare sepse tek e fundit çështjet kryesore që ne ballafaqohemi si vend na përkasin të gjithëve sepse të gjithë jemi duke jetuar në këtë vend dhe marrëdhëniet e mira me aleatët tanë na gëzojnë të gjithëve sepse asnjëherë nuk kemi pasur dëm prej bashkëpunimit me ShBA-të, përkundrazi gjithçka çka kemi e kemi falë ndihmës së tyre që e kanë bërë me Kosovën dhe një ftesë e tillë vlerësoj se do të jetë e mirëseardhur”, ka thënë Ariana Musliu-Shoshi.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Një grua nga Podujeva ka lindur katërnjakë në Qendrën Gjinekologjike…