Musliu-Shoshi thotë se Bislimi e sulmoi personalisht dhe se nuk kishte asgjë konfidenciale në raportimin e tij
Deputetja e Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Ariana Musliu-Shoshi, e ka akuzuar zëvendëskryeministrin Besnik Bislimi për sulm personal.
Ajo ka mohuar atë që e kishte thënë kryetarja e Komisionit për Punë të Jashtme dhe Diasporë, Arbëreshë Kryeziu-Hyseni, që deputetëve u janë shpalosur dokumente konfidenciale në raportimin e Bislimit për dialogun që është realizuar me dyer të mbyllura, raporton “EO”.
“Mora një sulm personal, i cili nuk është aspak për t’u vlerësuar. Por nëse zëvendëskryeministri e vlerëson, atëherë ato sulme personale mund edhe t’i bëj publike, pasi vlerësoj se jam faqebardhë në çdo aspekt. Ishin akuza të nivelit profesor-student, gjoja se jam kapur në plagjiaturë në kohën sa kam qenë studente në AUK, por kjo nuk qëndron pasi kam qenë studente me ‘A’-ja dhe kam qenë bursiste”.
“Këto të dhëna janë lehtë të qasshme dhe më vjen keq për nivelin akademik dhe atë që përfaqëson Bislimi, kemi ardhur në pikën ku në vend se të raportojë për atë çka po ndodh dhe rrugën që po ndjek në dialog, shteti jonë në kohën kur nuk e kemi asnjë aleat të vetëm, lëshohet në një nivel kaq të ulët me mua dhe deputetët e tjerë”, ka thënë ajo para gazetarëve pas mbledhjes.
Musliu-Shoshi ka thënë se nuk ka pasur asgjë që mund të konsiderohet konfidenciale aq sa për t’u mbajtur takimi me dyer të mbyllura.
“Jemi gjithmonë transparentë sepse e vlerësoj që dialogu ka njëfarë mase të konfidencialtetit, por disa gjëra kryesore duhet të dihen nga ju si media”
“Megjithatë, nuk pat as edhe një informatë të vetme e cila konsiderohet konfidenciale. Krejt ajo çka provon pushteti të bëjë është të ngre drama kinse po diskutohet diçka konfidenciale. Nuk pat asgjë më shumë se ajo çfarë keni parë dhe dëgjuar nga Bislimi. Ajo çfarë kërkova ishte të na tregojë nëse ShBA-ja dhe BE-ja nuk janë partnerë me të cilët bashkëpunojmë, nëse Borrelli e Lajçaku nuk janë kredibil në përfaqësim”.
“Atëherë në çfarë rruge po shkojmë, kush janë partnerët tanë me të cilët duhet të ecim përpara? Pse çështjet e brendshme të Kosovës të shndërrohen në instrumente për t’u diskutuar në organizata ndërkombëtare, siç ishte ajo në Këshillin e Sigurimit. Çka po mungon në këtë linjë të komunikimit me ndërkombëtarët?”, ka thënë Musliu-Shoshi.