Musliu: VV dhe Konjufca e kanë kuptuar dështimin e Kurtit – të tregojnë pse duan zgjedhje e ta ndërpresin “qeverisjen e mirë”
Deputetja e PDK-së, Ganimete Musliu, ka komentuar deklaratat e VV-së dhe kryetarit të Kuvendit, Glauk Konjufca, për zgjedhje të parakohshme.
Ajo në një prononcim për Gazeta Blic thotë se këtë pyetje duhet bërë Kurtit.
“Ndoshta këtë pyetje është dashur drejtuar pikërisht Albinit sepse vetëm para dy ditësh në mbledhje të qeverisë u deklarua se “edhe Evropa do ta lakmonte zhvillimin që ka ndodhur në Kosovë gjatë këtyre tri viteve”. Dhe, nëse është e vërtetë kjo deklaratë, atëherë pse kërkojnë zgjedhje të reja e ta ndërpresin “qeverisjen e mirë”???”, thotë deputetja.
Musliu thekson se VV dhe Konjufca e kanë kuptuar dështimin e Kurtit dhe se anëtarësia e VV janë në panik.
“Unë mendoj se më mirë se opozita dhe qytetarët, Vetëvendosja, e në këtë rast edhe Glauk Konjufca e ka kuptuar dështimin e Albin Kurtit. Anëtarësia e VV-së janë në panik e në dëshpërim të thellë nga paaftësia dhe keqqeverisja e Albinit. As në rastin më të keq se kanë besuar që ky njeri është kaq i paaftë e kaq dështak, kaq mashtrues e kaq manipulant”, vlerëson ajo për Gazeta Blic.
Deputetja shton se VV e ka kuptuar që s’ka moral të dalë në zgjedhje, pasi si ka realizuar premtimet dhe çështjen e Asociacionit do ta përdor në fushatë.
“Pozita e ka kuptuar që në zgjedhjet e ardhshme s’ka fytyrë as moral me dalë para qytetarëve sepse s’ka realizuar asnjë projekt, asnjë premtim, qoftë elektoral, qoftë të programit qeverisës, prandaj dëshiron që çështjen e Asociacionit të cilin tashmë e ka pranuar por nuk guxon ta prezantojë para qytetarëve, ta bëjë kauzë elektorale për zgjedhjet e ardhshme”, potencon Musliu.
Ajo shton se zgjedhjet e reja s’janë vullnet i opozotës e as dëshirë e pozitës por domosdoshmëri për ta shpëtuar vendin.
“Zgjedhjet e reja më nuk janë dëshirë e opozitës as vullnet i pozitës, zgjedhjet e reja tashmë janë nevojë dhe domosdoshmëri për ta shpëtuar vendin nga degradimi dhe kaosi që ka shkaktuar Albini. Në çdo sferë të jetës Kosova ka shënuar regres, prandaj qytetarët me të drejtë kërkojnë zgjedhje të reja, si mundësia e vetme për shpëtim të dinjitetit dhe integritetit qytetar e shtetër”, përfundon Ganimete Musliu./Gazeta Blic/