Musmurati: Po i dërgojmë në Hagë letrat dhe vizatimet e fëmijëve të Prishtinës për ushtarët e UÇK-së
Drejtoresha e Arsimit në komunën e Prishtinës, Besianë Musmurati, ka bërë me dije se ka mbledhur disa punime të nxënësve të shkollave të Prishtinës, letra dhe vizatime, të cilat i kanë shkruar pasi disa ish-ushtarë të UÇK-së kanë mbajtur disa ligjërata në shkollat e Prishtinës.
Musmurati ka thënë se disa prej tyre do t’i dërgojnë në Hagë, në qendrën e paraburgimit, aty ku po mbahen padrejtësisht ish-krerët e UÇK-së, Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi, Rexhep Selimi dhe Hysni Gucati, Nasim Haradinaj, Sali Mustafa e Pjetër Shala.
Njoftimi i plotë i Musmuratit:
Po i dërgojmë në Hagë letrat dhe vizatimet e fëmijëve të Prishtinës për ushtarët e UÇK-së.
Pas ligjëratave të ushtarëve të UÇK-së në disa prej shkollave të Prishtinës, fëmijët bënë punime të ndryshme që i shpërndamë në OVL të UÇK-së. Disa prej tyre po i dërgojmë tek liderët e UÇK-së që po mbahen në Hagë.
“Mrekullive të botës duhet ti shtohet edhe lufta çlirimtare e UÇK-së” shkruan Leka nga shkolla Naim Frashëri.
“Unë ende kam besim te njerëzimi sepse ende kam besim tek ju. Na keni treguar herë pas here se ne mund t’ju besojmë. Andaj, ju jeni heronjtë tanë!” thotë Erza, e cila ka lindur në vitin që është shpallë Pavarësia.
“Ndoshta sot je me thinja, por ne do të kujtojmë gjithmonë për zgjuarsinë, trimërinë dhe sakrificën që e ke bërë për fëmijët e Kosovës” thotë letra tjetër.
Shpresojmë që me këto letra do të mund të përçojmë mirënjohjen e thellë që e kemi për UÇK-në dhe vlerat e saj.