Musolli: Kushtetuesja çimentoi barrierën kufitare në mes të pushtetit politik dhe pavarësisë së RTK-së
Ish-anëtari i Bordit të Radiotelevizionit të Kosovës (RTK), Petrit Musolli, ka reaguar pas publikimit të vendimit të Gjykatës Kushtetuese, e cila ka konstatuar se vendimi i Kuvendit të Kosovës (8 korrik 2021) për shkarkimin e bordit të RTK-së nuk ka qenë në harmoni me Kushtetutën dhe Ligjin e transmetuesit publik.
Musolli ka thënë se me këtë vendim, Gjykata Kushtetuese, ka çimentuar barrierën kufitare në mes të pushtetit politik dhe pavarësisë së mediumit publik, duke garantuar sigurinë juridike për të gjithë pasardhësit e bordit të RTK-së.
“Për më tepër sesa vendosjen e drejtësisë për ne ish-anëtarët e Bordit të RTK-së, të shkarkuar padrejtësisht, Gjykata Kushtetuese i vuri laurën arrogancës së pushtetit politik mbi pavarësinë e mediumit publik! Për më tepër sesa ofrimit të një satisfaksioni moral për ne ish-anëtarët e Bordit të RTK-së, të shkarkuar padrejtësisht, Gjykata Kushtetuese çimentoi barrierën kufitare mes pushtetit politik dhe pavarësisë së mediumit publik dhe garantoi sigurinë juridike për të gjithë pasardhësit e Bordit të RTK-së! Prandaj, uroj të gjithë anëtarët e sotëm e të nesërm të Bordit të RTK-së për këtë fitore, para së gjithash, për ta!”, ka shkruar Musolli në “Facebook”.