Mustafa: Adem Jashari dhe sakrifica e tij heroike u bënë të pavdekshëm
Me rastin e 21-vjetorit të “Epopesë së UÇK-së”, kryetari i LDK-së Isa Mustafa, ka thënë se muaji mars është muaj i sakrificës që kulmoi me veprën më sublime të familjes Jashari, dhe shënoi ndryshim në historinë e kombit shqiptar.
“Rënia e familjes Jashari ktheu vëmendjen e botës demokratike drejt Kosovës, ku lufta tashmë kishte filluar në një kahje tjetër. Komandanti Legjendar Adem Jashari dhe vepra sublime e tij janë rast unik në gjithë historinë e luftërave, prandaj si të tillë edhe do ta mbajmë gjithmonë në mend. Adem Jashari dhe sakrifica e tij heroike u bënë të pavdekshëm dhe gur themel i pavarësisë të Kosovës”, ka thënë Mustafa.
Ai ka shtuar se në muajin e lavdishëm mars, kujtojmë edhe fillet e rezistencës të armatosur me Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës, ku shumë burra e gra po niseshin në një rrugë të pakthim, drejt lirisë.
“Marsi padyshim është muaj dhimbjeje por edhe krenarie për çdo gjeneratë të cilët do ta mësojnë në çdo libër ku do të përmendet historia drejt lirisë deri të shtetndërtimi i Kosovës. Lavdi për gjithë Familjen Jashari dhe të gjithë ata që kanë rënë për Kosovën shtet të lirë”, ka deklaruar Mustafa.
/Epoka e re/