Mustafa, ambasadorit të Francës: Kufijtë e Kosovës janë të panegociueshëm
Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Isa Mustafa, ka pritur në takim ambasadorin e Francës në Kosovë, Didier Chabert.
Mustafa e ka njoftuar ambasadorin Chabert për qëndrimin e LDK-së mbi temat kyçe dhe zhvillimet politike në Kosovë.
“Qëndrimi i LDK-së për dialogun me Serbinë është i qartë. Kufijtë e Republikës së Kosovës, mbi të cilët është shpallur pavarësia më 17 shkurt 2008 dhe mbi të cilët mbi 100 shtete e kanë njohur shtetin e Kosovës, janë të panegociueshëm. LDK-ja nuk do të bëhet pjesë e grupit negociator sepse negocimi i marrëveshjeve ndërkombëtare është detyrë dhe obligim i Qeverisë së Kosovës. Dialogun duhet ta udhëheqë një qeveri me përkrahje të gjerë në Kuvend, prandaj LDK-ja kërkon që vendi të shkoj në zgjedhje të parakohshme që janë jetike dhe të pashmangshme”, citohet t’i këtë thënë Mustafa ambasadorit francez
Ndërsa, ambasadori i Francës, Didier Chabert, e ka falënderuar kryetarin Mustafa për mikpritjen dhe ka vlerësuar rolin konstruktiv të LDK-së në proceset shtetformuese në Kosovë këto tri dekada.
Në fund, ambasadori Chabert e ka njoftuar kryetarin Mustafa për një delegacion franko-gjerman që do ta vizitojë Kosovën së shpejti për të diskutuar me akterët kryesorë politik para takimit të Parisit.
Kryetari Mustafa ka shprehur kënaqësinë që LDK-ja të pret në takim këtë delegacion.
Në takim ishin të pranishëm edhe sekretari i përgjithshëm i LDK-së, Ismet Beqiri dhe zëdhënësi Besian Mustafa.
/Epoka e re/