Mustafa: Askush nuk ka të drejtë ta keqpërdorë emrin e ish-presidentit Rugova
Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Isa Mustafa, ka reaguar ndaj deklaratave të presidentit Hashim Thaçi, derisa ky i fundit ka cituar ish-presidentin Ibrahim Rugova për këmbim territoresh.
I pari i LDK-së, Mustafa thotë se e kanë gabim dhe me prapavijë të keqe ata që tentojnë të manipulojnë me intervistat dhe deklaratat e Rugovës të para 25 vjetëve.
“E kanë gabim dhe me prapavijë të keqe ata që tentojnë të manipulojnë me intervistat dhe deklaratat e presidentit Rugova të para 25 vjetëve.
Rugova ka dhënë kontribut të jashtëzakonshëm historik në pavarësimin e Kosovës, ka shtruar ide dhe koncepte në periudha të ndjeshme kohore, jo vetëm për Kosovën por edhe për të ardhmen e shqiptarëve në trojet e tyre etnike”, ka shkruar Mustafa në llogarinë e vet në “Facebook”.
Mustafa ka thënë se Kosova ka përmbyllur të gjitha çështjet e hapura me aktin e shpalljes së pavarësisë.
“Duke vulosur kontributin e presidentit Rugova, të UÇK-së dhe aleatëve tanë ndërkombëtar. Askush nuk ka të drejtë ta keqpërdorë emrin e presidentit Ibrahim Rugova për të vënë në pyetje integritetin territorial dhe sovranitetin e Republikës së Kosovës, as presidenti Thaçi dhe as këndesat e tij”, ka shkruar Mustafa.