Mustafa: Askush nuk mund t’i ndryshojë kufijtë e Kosovës

07 maj 2020 | 12:35

Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Isa Mustafa, ka reaguar ndaj debatit të fundit rreth idesë së ndryshimit të kufijve në mes të Kosovës dhe Serbisë, ide e cila nuk është kundërshtuar nga kryediplomati i BE-së, Josep Borrell.

Mustafa ka thënë se askush nuk mund t’i ndryshojë kufijtë e Kosovës, nëse autoritetet e Kosovës i besojnë vetvetes për të mos i ndryshuar ata.

“Nuk është Grenelli, as Borelli e as Lajçaku ata që ndryshojnë kufij dhe shkëmbejnë territore. Prandaj është e padenjë që mosguximin tonë për t’iu përveshur dialogut ta arsyetojmë me rrezikun e ‘kasapimit’ të Kosovës”, ka shkruar Mustafa në llogarinë e vet në “Facebook”.

Postimi i plotë i Mustafës:

Askush nuk mund t’i ndryshojë kufijtë e Kosovë, në qoftë se ne i besojmë vetvetes për të mos i ndryshuar. Kjo është në dorën dhe në përgjegjësinë tonë.

Nuk është Grenelli, as Borelli e as Lajçaku ata që ndryshojnë kufij dhe shkëmbejnë territore. Prandaj është e padenjë që mosguximin tonë për t’iu përveshur dialogut ta arsyetojmë me rrezikun e “kasapimit” të Kosovës.

Duhet të besojmë në ShBA-të dhe në BE dhe të besojmë në Kosovën. Kjo është e vetmja qasje për dialogun.

Popullizmi dhe lufta e shtrigave nuk na qon askund. Vetëm vendet komuniste kanë mbijetuar deri në fundin e tyre, duke prodhuar kundërshtarë dhe armiq. Kur iu kanë sosur kundërshtarët, janë sosur edhe ato vet.

Kosova e ka shpallur pavarësinë në këtë territor dhe në këta kufij; kështu thotë edhe Deklarata e Pavarësisë. Prandaj s’kemi arsye ta hapim këtë temë, sepse e hapim temën e pavarësisë së shtetit tonë, që është mbyllur me opinionin e Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë. Por, po ashtu, nuk kemi arsye të frikësohemi nga dialogu.

Duhet të dialogojmë që, në këta kufij dhe me këtë territor që e kemi, të na njoh Serbia, të anëtarësohemi në OKB, të na njohin edhe pesë vende të BE-së dhe të anëtarësohemi në NATO. Ky është interes i shtetit tonë i drejtpërdrejtë; është edhe interes i ndërmjetësuesit nga SHBA dhe atyre nga BE, sepse me këtë sigurohet stabiliteti në këtë pjesë të botës dhe hapet perspektivë e re e zhvillimit ekonomik.  (L.G: ‘Epoka e re’)

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Autoriteti Kosovar i Konkurrencës (AKK) ka njoftuar se nesër (e…