Mustafa: Asnjëherë nuk kam kërkuar që të jem president
Lideri i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Isa Mustafa, pas mbledhjes së Kryesisë së kësaj partie, të mbajtur të premten, ka bërë me dije se janë informuar nga ekipi negociues i LDK-së me ecurinë e bisedimeve me Lëvizjen Vetëvendosje për harmonizimin e programit qeverisës.
“Kryesia ka vlerësuar se ekipi ynë ka bërë një punë të mrekullueshme dhe të shkëlqyeshme në prezantimin e pjesëve të programit të LDK-së”, është shprehur Mustafa në konferencën për medie.
Ai ka thënë se është arritur mjaftë shumë në harmonizimin e programit qeverisës me Lëvizjen Vetëvendosje. “Do të vazhdojmë takimet pas certifikimit të rezultateve në nivelin e lartë, ku do të jem unë dhe nënkryetarët e LDK-së dhe përfaqësuesi i ekipit që ka punuar deri më tani”, ka thënë Mustafa, duke shtuar se do të punojnë me Lëvizjen Vetëvendosje në harmonizimin e disa çështjeve që kanë mbetur për më vonë.
Më tutje, Mustafa ka thënë se LDK-ja do t’i përmbahet zotimit që ka dhënë më herët se kushdo që i fiton zgjedhjet do t’i takojë pozita e kryeministrit.
I parti i LDK-së, ka thënë se në mbledhjen e sotme të kryesisë nuk është folur për pozitat ministrore. “Për to do të flasim në një takim që do ta kemi me liderin e Vetëvendosjes”, është shprehur Mustafa.
Ndërsa sa i takon pozitës se presidentit, Mustafa ka thënë se kjo çështje duhet të vendoset tani në mes të partnerëve të koalicionit.
Ai ka thënë se nëse nuk arrijnë pajtueshmëri për këtë pozitë, vendi mund të shkojë në zgjedhje pas një viti.
Në këtë kontekst, Mustafa ka thënë se asnjëherë nuk ka kërkuar që të jetë president i vendit.
“Unë në asnjë rast nuk jam shprehur as nuk kam kërkuar që të jem president i Kosovës. Të tjerët kanë filluar ta bëjnë këtë punë temë dhe ta bëjnë problem, sepse për të do të vendosë partia që i takon, pra që ta propozojë kandidatin për president të ardhshëm të Kosovës. Ai propozim nuk do të bëhet tani, por do të bëhet në momentin kur shpallen zgjedhjet për president. Tani për tani ne duhet të merremi vesh që ta kapërcejmë edhe këtë, sepse në qoftë se këtë nuk e bëjmë atëherë është një bindje e jona se pas një viti do të shkojmë në zgjedhje të reja”, ka thënë Mustafa.
Në këtë konferencë për medie, Mustafa ka folur edhe për dialogun me Serbinë dhe taksën.
Ai ka thënë se është ithtar i idesë që dialogu me Serbinë të zhvillohet pa kushte.
/Epoka e re/